Turistët e huaj që po e vizitojnë Shqipërinë shfaqin vlerësime por edhe rezerva për shumëçka që u ofrohet apo hasin gjatë eksperiencave të tyre. Por ka një pikë ku të gjithë bien dakord dhe nuk kanë dyshime: natyra është bekimi i këtij vendi. Në mbi 28 mijë m2 sipërfaqe mund t’i gjesh të gjitha dhe disa rajone po fitojnë popullaritet të ndjeshëm në rrjete sociale dhe sajte të vlerësimit të destinacionit. Nga Vjosa, tek kanionet e Osumit apo perëndimet në Lëkurës e deri tek turizmi i vëzhgimit të zogjve në Karavasta, të gjitha kanë fituar zemrën e turistëve si destinacionet më të mira natyrore, duke shpërndarë pa kursim komplimente me foto e fjalë. Mes gjithë këtij vlerësimi, ajo që shquhet është edhe frika se dora e njeriut, ndoshta nuk do të ketë maturinë e duhur për ta ruajtur këtë vlerë nën ethet e turizmit masiv.
Nertila Maho
Turizmi këtë vit i ka pasur të gjitha, suksese në disa anë, kritika në të tjera me raste edhe pesimizëm. Kjo kryesisht ka qenë e lidhur me atë Shqipëri turistike, që në shqiptarët, po u ofrojmë të huajve duke nisur nga infrastruktura, mbetjet, akomodimi, shërbimet, çmimet.
Të gjithë këto elementë, secili nga vizitorët i ka kaluar në “sitën” e tij, duke i konsideruar të përshtatshme, të mira apo të këqija.
Por ka një pikë ku të gjithë bashkohen dhe kjo është bukuria natyrore që ofron Shqipëria. Një vend kaq i vogël ka kaq shumë larmishmëri.
Padyshim triumfi i vërtetë i këtij viti i takon turizmit natyror dhe eksperiencave të lidhura me të.
Nga çdo rajon janë disa pika që janë bërë të famshme në rrjete sociale, blogje apo faqe të vlerësimit të destinacioneve, por cilat janë ato?
Perëndimi idilik në Lëkurës në Sarandë bëhet viral
Për të gjithë ata që vizitojnë Sarandën dhe kërkojnë sugjerime nga vizitorë të mëparshëm duket se ka një vend që cilësohet si i domosdoshëm për t’u vizituar.
Vëzhgimi i një Perëndimi idilik nga Kalaja e Lëkurësit, një gërshetim mes natyrës dhe kulturës duket se është pjesa e preferuar e vizitorëve që kanë postuar foto të pafundme të këtij momenti.
Robert S. që vizitoi këtë pikë në 20 gusht shprehet se është vendi ideal për të pasur një pamje të shkëlqyer të detit, qytetit dhe ishullit përballë.
“Shkoni kur është thuajse perëndim, jo kur është errësuar plotësisht, për të shijuar siç duhet” nënvizon ai.
“Një pamje që të lë pa frymë. Shkoni në një kohë të përshtatshme për të siguruar një tavolinë pasi më vonë bëhet e ngarkuar me vizitorë” shprehet Suelen Barreto.
Një tjetër vlerëson se është kaq e pabesueshme që një vend të ofrojë dy pamje komplet të ndryshme por njëlloj të mrekullueshme.
“Në mëngjes mund të shijosh kaltërsinë e detit dhe qartësinë e natyrës teksa në darke perëndimin që i jep komplet tjetër pamje qytetit dhe detit”.
Por teksa vlerësimet janë me mijëra dhe pozitive, për atë çka ofron natyra, turistët nuk kursehen për shërbimin në ambientet e kalasë ku ushtrojnë aktivitet subjekte tregtare, ka ankesa për mungesën e parkimit dhe rrugëve të ngushta dhe sidomos për mbetjet dhe shishet e thyera që mund t’i gjesh lehtësisht në këtë zonë.
Në një përshkrim të Bashkisë Sarandë jepen detaje mbi Kalanë e Lëkurësit. Kjo ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, mbi majën e një kodër të lartë që ngrihet në formën e një piramide.
Kalaja ka planimetri pothuajse katrore 42 m x 44 m, me dy kulla drejtkëndëshe në murin perëndimor.
Nga kullat ruhet më mirë kulla e qoshes jug-lindore e cila kap lartësinë 7 m që arrin në lartësinë e dyshemesë së katit të dytë, kulla drejtkëndëshe ndodhet në murin perëndimor.
Katet e para të kullave rrethore kanë shërbyer si depo dhe janë pajisur me frëngji rreth 1.20 m larg njëra tjetrës.
Nga pozicioni i vendosjes së kullave del qartë se drejtimi i kontrollit të Kalasë ishte nga deti. Lartësia e mureve arrin 6.70 m – 7 m dhe trashësia deri ne 2 m.
Kalaja e Lëkurësit mbante një garnizon me rreth 200 ushtare dhe ndërtimi i saj i përket shek. XVI, mundësia e ndërtimit të saj është viti 1537, kur Sulltan Sulejmani sulmoi Korfuzin dhe ishte i domosdoshëm kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint, pasi ky i fundit ishte sulmuar nga Venecianët.
Rafting në Vjosë, një eksperiencë unike në lumin me ngjyrën më të bukur
Vitet e tëra të lobimit që Vjosa të mos kthehej në një kaskadë për hidrocentrale por në një zonë të mbrojtur, duket se po japin frytet e tyre, me një popullaritet të rritje të këtij destinacioni turistik.
Përpos bukurisë natyrore që përkufizon Parkun e parë Kombëtar të një Lumi të Egër në Europë, ajo që po merr vëmendje janë aktivitetet sportive-argëtuese që zënë vend dhe organizohen siç është rafting apo udhëtimi me kayak.
“Është gjëja më e bukur që bëmë në dy javët tona të kaluara në Shqipëri. Ka një pamje të mrekullueshme. Ishim një familje me gjashtë persona” shprehet Maire T. nga Britania e Madhe.
Një tjetër vlerëson se ky është lumi me ngjyrën më të bukur të ujit që ka parë ndonjëherë në udhëtime.
Eksperiencat pozitive duket se janë një nga arsyet e turistëve që planifikojë rikthimin dhe madje të shpejtë edhe kur turistët janë vendas duke i bërë destinacionet turistike të qëndrueshme.
Enkel S. vlerëson aventurën e fundit në Vjosë këtë gusht duke “premtuar” një rikthim tjetër.
“Eksperienca jonë e rafting në lumin Vjosa ishte absolutisht e paharrueshme.
Ne zgjodhëm paketën e perëndimit, e cila rezultoi të ishte një zgjedhje e shkëlqyer.
Pavarësisht se nuk kishin një rezervim dhe ekipi ishte plotësisht i rezervuar, ata u përpoqën për të na akomoduar.
Jo vetëm që gjetën kohën për grupin tonë, por na ofruan edhe një zbritje, e cila ishte një surprizë e këndshme. Vetë udhëtimi ishte befasues.
Ndërsa lundronim në lumë, shijuam pamje mahnitëse të zhytura në shkëlqimin e ngrohtë të diellit që perëndonte.
Ekipi madje ofroi fruta të freskëta dhe çaj freskues bio gjatë udhëtimit, gjë që i dha një prekje të veçantë përvojës.
Ata gjithashtu kapën foto të mahnitshme të aventurës sonë, duke e bërë atë një ditë për t’u mbajtur mend.
Tashmë po planifikojmë udhëtimin tonë të radhës në shtator ose tetor, kur reshjet do të sjellin edhe më shumë adrenalinë në udhëtim.
Nëse jeni duke kërkuar për një aventurë të paharrueshme në lumin Vjosa, nuk mund ta rekomandoj sa duhet këtë përvojë” nënvizon ai.
Pas anulimit të HEC-it të Kalivaçit mbi Vjosë duket se qeveria edhe pse në mënyrë të ngadaltë vendosi të ndryshonte destinacionin e kësaj pasurie duke i dhënë prioritet turizmit.
Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa u krijua nga Këshilli i Ministrave më 13 mars 2023.
Parku mbron të gjithë rrjedhën e lumit Vjosa dhe katër degë (Drino, Kardhiq, Bënçë dhe Shushicë) që mbulojnë 12.727 hektarë.
Ky ekosistem përmban biodiversitet të rëndësishëm: mbi 1100 lloje kafshësh, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe 2 bimësh të vlerësuara si të kërcënuara globalisht në Listën e Kuqe të Specieve të Kërcënuara të IUCN-së.
Osumi, kanionet spektakolare kthehen në të preferuarën e turistëve
Kanionet e Osumit po rrisin çdo vit numrin e eksploratorëve, që në mënyrë individuale apo të organizuar, i drejtohen këtij destinacioni për ecje, not dhe rafting.
Me gjatësi 26 kilometra dhe të krijuar miliona vite më parë nga gërryerja e ujit pamja e kanioneve cilësohet nga turistët si spektakolare.
“Uau, çfarë kanioni spektakolar! Uji ishte shumë i ulët për rafting, kështu që ne bëmë një shëtitje / turne lundrues me një udhërrëfyes dhe ishte e mahnitshme.
Muret e larta, uji i kaltër i kthjellët dhe shumë ujëvara krijojnë pamje të jashtëzakonshme. Ne ishim gjithashtu të vetmit njerëz atje gjatë gjithë rrugës.
Padyshim që ia vlen udhëtimi” shprehet Andrew W.
Një tjetër shprehet se kanioni është i madh dhe i bukur, uji është shumë i ngrohtë, blu dhe i qartë.
Ndërkohë Sebastian Grandlun e cilëson këtë si vendin e tij në preferuar në gjithë Shqipërinë.
“Mund të ecësh dhe të notosh përgjatë kanionit për orë të tëra. Madhësia e mureve të shkëmbinjve është e mahnitshme dhe uji shumë i bukur.
Ju rekomandoj të merrni me vete qese të papërshkueshme nga uji për gjërat tuaja pasi në disa pjesë të lumit thellësia shkon deri në 2 metra” nënvizon ai.
Kanioni i Osumit është një kanion i lumit në Shqipërinë jugore, pranë qytetit të Çorovodës. Lumi, i cili kalon nëpër qytetin e Beratit, rrjedh përmes kanionit.
Ka shumë pjesë nëntokësore dhe shpella të paeksploruara përgjatë gjatësisë së kanionit.
Skajet e kanionit kanë një ekosistem të pazakontë që ruan gjelbërimin në të dy anët e kanionit gjatë gjithë vitit.
Në shpatet e kanionit, erozioni ka krijuar mure me shpella të vogla. Disa nga formacionet e shkëmbinjve në kanion kanë emra të çuditshëm si Katedralja, Syri, dhe Dera e Djallit. Kanionet janë 26 km, në një lartësi prej 450 m.
Mendohet se ato janë formuar 2-3 milion vjet më parë nga erozioni i ujit.
Kanioni Gradeci, kanioni më i bukur dhe spektakolar i luginës së Osumit, qëndron pranë shpellës. Ajo është 4 km e gjatë, 40 m e lartë, dhe në pika të ndryshme, vetëm 1,5 m të gjerë.
Shpatet e saj zbresin me shpejtësi në lumë. Për të arritur kanionet e tjera të Osumit, duhet të udhëtoni drejt jugut.
Këto kanione të tjera ndodhen 3 km në jug nga qyteti i Çorovodës. Ato janë objekte natyrore madhështore me gjatësi totale prej 15 km.
Në këtë zonë, ju mund të praktikoni sporte ujore si kanoe, rafting dhe kayaking.
Ka edhe disa pika që shërbejnë si plazhe të vogla, të tilla si Varishta.
Parku i Liqenit, Dajti dhe Bovilla tërheqin kuriozët e natyrës në Tiranë
Mali i Dajtit dhe liqeni i Bovillës janë ndoshta dy destinacionet e klasifikuara që “duhen parë” sa i takon pasurisë natyrore që ofron Tirana për turistët që e vizitojnë.
Popullariteti i tyre është në rritje teksa fotot virale sidomos në Bovillë kanë nxitur fotografët “freelance” që ofrojnë mundësi për sete profesionale të turistëve në këtë pikë.
Por surpriza e vitit 2024 duket se është Parku i Liqenit Artificial në Tiranë.
Ky i fundit është përzgjedhur si “i preferuari i vizitorëve” duke fituar vlerësime pozitive që e rendisin mes 10 për qind të gjithë atraksioneve dhe subjekteve që radhiten në Tripadvisor.
“Ajo që më bëri përshtypje ishte se kishte kaq shumë njerëz që ecnin, bënin vrap, uleshin dhe bisedonin, fëmijë që vraponin përreth, njerëz që ngisnin biçikleta dhe shumë më tepër.
Parku është i gjallë me tinguj dhe njerëz. Në mes të qytetit. Kaq këndshëm” shkuan Jaco-Pierre S nga Pretoria, Afrika e Jugut.
Një tjetër Nashville Ann C. shprehet se Parku i Madh është një park i shkëlqyer, i ndërtuar mirë, me qoshe dhe ndarje të shumta për t’u eksploruar.
“Ju do të gjeni një liqen / shtigje me hije / shumë zona për t’u ulur / ushqime / kafene.
Unë rekomandoj shumë një shëtitje / vrap / piknik në këtë park” vlerëson ajo.
Për Bovillën në anën tjetër, vlerësimi lidhet me peizazhin e përgjithshëm rrethues që ka ky destinacion, ku ndodhet rezervuari kryesor që furnizon me ujë kryeqytetin.
Një turist nga Britania, Random J. London shprehet se “liqeni është i bukur me një sfond të mrekullueshëm malesh që e rrethojnë.
“Ekziston një shteg i mirë shëtitjeje nëse dikush është me përgatitje mesatare. Ka një tarifë hyrje prej 1 € për t’u ngjitur në majë.
Rruga që të çon në të nuk është në gjendje të mirë, kështu që shkoni me një tur të organizuar ose me dikë lokal”.
Sa i takon Dajtit duket se vëmendja kryesisht është tek shëtitja me teleferik.
Një pjesë cilësojnë se pamjet janë mjaft të bukura por kur arrin në krye ajo që gjen është zhgënjyese.
“Teleferiku funksionoi perfekt, pamja është e mahnitshme.
Nuk rekomandohet për ata që kanë frikë nga vendet e larta.
Në majë të malit ka shumë ndërtesa të ndërtuara, betone që shkatërrojnë atmosferën e mirë të natyrës” vlerëson Krisztián K nga Hungaria.
Curly Watts nga Britania shprehet se Parku është mjaft i bukur dhe mund të shohësh përgjatë tij zogj, breshka por në hartë sipas saj nuk ka shumë shtigje të qarta për ecje.
Parku Kombëtar i Llogorasë, gara e plazheve nuk zbeh bukurinë
Teksa përmend Jugun përgjithësisht emri të lidhet me detin dhe plazhet e jashtëzakonshme por për të huajt Parku Kombëtar i Llogorasë është një pikë që nuk duhet humbur.
Mjafton t’iu hedhësh një sy përshtypjeve të tyre për të kuptuar se vlerësimi për këtë lidhet me natyrën por edhe restorantet lokale me ushqim të mirë dhe ujë të freskët.
Këto e kanë bërë Llogoranë një destinacion që pavarësisht ndërtimit dhe hapjes së tunelit të mos shmanget plotësisht por të vijojë të ruajë një pjesë ë vizitorëve të saj edhe këtë verë.
“Park i bukur me pyll të dendur me pisha, pamje të bukur dhe disa shtigje ecjeje.
Ka shumë restorante dhe bare përgjatë rrugës së kalimit “shprehet Gabriele Brings.
Një tjetër vizitor Vlad Naumosky shprehet se është vendi më i freskët për të kaluar natën në ditët e nxehta të verës.
“Keni burime uji të freskët dhe restorante të vjetra të mira me produkte fshati si vezë, perime dhe mish.
Rrugë shumë e mirë piktoreske për të kaluar” shprehet ai.
Një tjetër turiste Laura Armino nënvizon se ky është një park i bukur ku mund të hash dhe të shëtisësh.
“Është turp që neglizhenca e shkaktuar nga mbeturinat anëve të rrugës dhe mirëmbajtja e dobët e shtigjeve.
Nëse s’do të ishin këto do të ishte magjepsëse.
Ka shumë kampe dhe lehtësi, ata mund të kujdesen më mirë”, – shprehet ajo.
arku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në këtë park gjenden të gjitha zonat e bimësisë së vendit tonë.
Zona e pyjeve dhe shkurreve mesdhetare, me lartësi 470-600m;
Zona e dushkajave, në lartësitë 600-800m; Zona e Ahut, në lartësitë 800-1,300m dhe Zona e kullotave alpine, në lartësitë 1,300-2,000m.
Për të mundësuar realizimin e objektivave të ruajtjes së parkut studimet e më vonshme kanë marrë në konsideratë të gjithë rajonin: Llogara,
Rrëza e Kanalit, Karaburun, Laguna e Orikumit, Lugina e Dukatit dhe Gjiri i Dukatit.
Parku ofron peizazh të bukur e mahnitës në brendësi dhe në vende karakteristike e pika dominuese.
Nga Qafa e Cesarit, përfshihet Karaburuni, Gryka dhe Fusha e Dukatit dhe Laguna e Orikumit;
Deti Jon, koni madhështor i Përroit të Thatë, Gërxhet e thepisura të maleve të Vetëtimës (Akrokeraunet ose Malet e Rrufeve).
Karavastaja nga natyra tek vëzhgimi i zogjve, gjithçka që duan të huajt
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është ndoshta parku më i vizituar në vend nga turistët sipas statistikave që publikohen në mënyrë periodike.
Deri në maj nga totali i 117 mijë vizitorëve që kanë frekuentuar 12 parqe natyrorë në vend, 37 për qind e tyre i takojnë Divjakë-Karavasta.
Por çfarë pëlqejnë më shumë turistët. Së pari është kurioziteti për zogjtë, një pikë e marketuar fort për këtë destinacion por që jo në çdo rast arrin të plotësohet 100 për qind.
“Është një ekosistem kompleks që kombinon disa habitate me një shumëllojshmëri të florës dhe faunës së egër dhe është një habitat paqësor i mbrojtur.
Laguna e Karavastasë është shtëpia e një numri të madh të llojeve të peshqve dhe gjallesave të tjera ujore.
Bëmë një shëtitje me varkë 3 € për person. Udhëtimi me varkë është 30 minuta.
Ne nuk pamë flamingo apo pelikanë, por pamë zogj të tjerë. Udhëtimi ishte i këndshëm” tregon eksperiencën e saj Sarah Globetrekker.
Një tjetër turiste gjykon se parku është i bukur, por shumë i lënë pas dore. “Shtegut prej druri i mungojnë dërrasa, sinjalistika e shtigjeve është fshirë nga koha, një karvan i braktisur ne park, ka punë për të bërë dhe shumë madje “vlerëson ajo.
Në tërësi duket se ka një dakordësi mes turistëve se parku ka vlera të jashtëzakonshme por mbetjet plastike dhe disa aspekte logjistike mund të menaxhohen më mirë.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.
Sipas AKZM zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit.
Kjo zonë strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri.
89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri.
42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerable. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë sonë bregdetare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut.