Gjykata e Apelit shqyrton nesër çështjen e vulës së PD-së, e cila prej 3 vitesh pretendohet se i takon Grupimit të Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha. Ndërkohë, Lulzim Basha, referuar regjistrimit të partive politike njihet si kryetari legjitim i PD-së, duke bërë kështu që vulën dhe logon e kësaj partie, ta kontrollojë ai dhe mbështetësit e tij, në atë që njihet si PD zyrtare. Çështja do të shqyrtohet nga një treshe gjyqtarësh me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga Lulzim Basha. Po atë ditë, Berisha dhe mbështetësit e tij morën kontrollin e selisë së partisë, pas protestës së dhunshme që u zhvillua më 8 janar të vitit 2022, teksa brenda godinës qëndronte Basha e përkrahësit e tij.
Vendimi u ankimua menjëherë nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Përfaqësuesit e Berishës kërkuan nga gjykata e Apelit, mospranimin e ankimit per shkak se sipas tyre Alibeaj nuk legjitimohet për një akt të tillë, ose në alternativë, të pushojë ankimimin si të pabazuar në ligj dhe prova. Nga ana e tyre përfaqësuesit e Alibeaj kërkuan prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhe pushimin e çështjes ose në alternativë prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.