Skip to content
Kryesore

I përfshirë në grupe kriminale , arrestohet efektivi i Forcave Operacionale

· 2 min lexim

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar sot një efektiv të policisë. Ai dyshohet se ishte i lidhur me tre personat e kapur më herët, Eneo Sulejmanaj, Shkëlqim Ostreni dhe Ildi Begaj.

Bëhet fjalë për efektivin e Forcave Operacionale Ervis Shkurta, i cili prej kohësh ishte i lidhur me grupet kriminale që merren me trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Emri i tij ka dalë pas zbërthimit të celularëve ku agjentët kanë gjetur biseda mes të arrestuarve me një person me emrin ‘Visi i Pazarit’.

Në kërkim është shpallur edhe një tjetër person si i përfshirë në skemën e trafikut të drogës.

Bëhet me dije se efektivi ka mohur lidhjen me grupet kriminale, por provat deri tani tregojnë se ai prej kohësh kishte njohje me grupet kriminale dhe ishte i përfshirë në shkëmbimin e drogës duke përfituar shuma të mëdha parash.

Njoftimi i plotë i AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.

Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.