Emigrantët shqiptarë protestojnë në Romë kundër arrestimit të kreut të opozitës

Paralelisht me protestat në Tiranë, disa qytetarë shqiptarë që jetojnë në Itali janë mbledhur në Romë për të kundërshtuar arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Mediat në shtetin fqinj kanë raportuar se disa qytetarë shqiptarë kanë organizuar një demonstratë pranë pallatit Montecitorio në Romë, për të protestuar kundër arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, aktualisht në arrest shtëpie me akuzën e korrupsionit.
Me parullat “Berisha libero” ata kanë kërkuar lirimin e ish-kryeministrit nga arresti në shtëpi, ku ndodhet prej ditësh tashmë.
Kujtojmë që Sali Berisha prej datës 30 dhjetor 2023 ndodhet në “arrest shtëpie”. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë dhe ndalimit të komunikimit për ish-kryeministrin Sali Berisha. Avokati i Berishës e cilësoi ndalimin e komunikimit si privim të lirisë për një deputet.
Ai është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës./ BallkanWeb