Që pas zgjedhjeve në Serbi, kanë vazhduar një valë protestash duke kundërshtuar kështu qeverisjen e Vuçiq dhe linjat politike që mban ai.
Lidhur me këtë ka folur vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një intervistë për “TV Prva”. Ai është shprehur se pritet që Serbisë t’i bëhet një “presion i madh” për çështjen e Kosovës në janar dhe shkurt.
Gjithashtu tha se opozita serbe po mbështetet nga lobistët shqiptarë dhe këtë duhet ta dijë populli serb.
“Ashtu mendojnë se do të fitojnë ndonjë votë shqiptare apo ku ta di se çfarë, pasi ata janë të gjithë njerëz që nuk mbështesin vetëm Kosovën e pavarur, por janë lobistë të dalluar shqiptarë. Vetëm këtë duhet ta dinë njerëzit në Serbi. Ata që janë në anën e një liste, ‘Serbia kundër dhunës’ e kritikojnë qeverinë në Beograd, 95 për qind e tyre janë lobistë të shquar shqiptarë”, tha Vuçiç, duke përmendur edhe raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Vuçiq tha se përgjigja e tij për zyrtarët evropianë mbetet e njëjtë “dhe s’mund të interepretohet në mënyrë tjetër”. Ai ka theksuar se interesi i Serbisë është “Ballkani i Hapur”.