Juristi Ylli Manjani ka reaguar së fundmi lidhur me skandalin në burgun e Peqit dhe kryesisht për ngjarjet në burgjet shqiptare.
Përmes Facebook-ut ai ka publikuar disa të dhëna të një studimi që tregon se nga rreth 5200 të izoluar në institucionet e vuajtjes së dënimit, rreth 3100 prej tyre janë të paraburgosur dhe vetëm rreth 2100 të izoluar janë të dënuar me vendim të formës së prerë.
Pra 60 % e të izoluarve në burgje janë pa një vendim dënimi nga gjykata.
Manjani thotë se në këtë mënyrë, ‘drejtësia e re’ ka dështuar totalisht me metodën “burg-burg-burg”.
“Ky është kulmi i dështimit të ndjekjes penale në Shqipëri. Praktikisht arresti me burg është bërë vendim dënimi. Një dënim pa prova dhe pa proces të rregullt. Një ndjekje penale që bazohet në sentencën politike “burg-burg-burg” nuk është drejtësi, por dhunë shtetërore. Hakmarrje primitive në emër të forcës. Kjo dhunë dukshëm është e motivuar politikisht. Drejtësia e reformuar zbaton sentencën e diktuar publikisht nga Edi Rama “burg-burg-burg””, thotë Manjani, ndërsa thekson se ky është një “terror shtetëror për të krijuar idenë fallco të shtetit”.