Teksa javët e fundit situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar për shkak të protestave të serbëve, qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ka ndjekur linjën e ndërkombëtarëve. Ai mban raporte diplomatike me të dy liderët si me Kurtin ashtu edhe Vuçiç, kështu që i ndodhur mes dy ‘zjarreve’, kryeministri Edi Rama ka tentuar të tregohet neutral në reagimet e tij. Në disa momente ka vënë theksin tek kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Kurtit pikërisht për çështjen në veri të Kosovës.
Ditën e djeshme kryeministri Rama bëri për herë të parë të ditur se u ka dërguar ndërkombëtarëve një draft për asociacion në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Ndërkohë që analisti Andi Bushati ka ironizuar me propozimin e një drafti për Asociacionin në Kosovë nga kryeministri shqiptar. Sipas tij nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk pranon asociacionin e propozuar nga Rama, marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën do të acarohen, madje në atë pikë saqë do të duhet të përdorim vizat për të shkuar në vendin fqinj.
“Nëse Albini nuk pranon Asociacionin, Shqipëria do rikthejë vizat me Kosovën,” shkruan ai.
Ndërkohë që partitë në pushtet dhe opozitë në Kosovë kanë shprehur qëndrime të ndryshme sa i përket draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova “nuk ka nevojë për shpëtimtar në formën e ofrimit të një draft-statuti”.
“Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë dhe natyrisht me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, tha Kusari-Lila./ Përgatiti: Gazeta Reforma