Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Erion Veliaj mbetet në burg. Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit të 13 marsit 2025.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shqyrtoi çështjen më 15 shtator 2026 në Dhomë Këshillimi. Veliaj kërkonte shfuqizimin e vendimeve të mëparshme të drejtësisë së posaçme që lidhen me masën e sigurimit ndaj tij.
Në përfundim, Kolegji Penal vendosi të lërë në fuqi vendimin nr. 13, datë 13 mars 2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Njoftimi i Gjykatës së Lartë:
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar. Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Erion Veliajt. Sipas dosjes së SPAK, ndaj kryebashkiakut rëndojnë 13 akuza, ndërsa ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, 12 akuza.
Në përfundim të hetimeve paraprake, SPAK thotë se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në nëntë raste të veçanta kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Këto subjekte, sipas organit të akuzës, kanë marrë leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
SPAK pretendon se gjatë hetimit janë grumbulluar të dhëna konkrete që provojnë se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, ka miratuar me nënshkrimin e tij shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar te OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të.
Sipas SPAK, për shkak të funksionit të Veliajt, të pandehurit kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtare që kishin marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Organi i posaçëm i akuzës vlerëson se në këto episode Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Ndërkohë, shoqëritë dhe organizatat jofitimprurëse që dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës së Veliajt akuzohen për elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.