Skip to content
Kryesore

Nafta në Shqipëri “djeg” xhepat: 2.6 herë më e shtrenjtë se Europa për fuqinë blerëse

· 5 min lexim

Nafta në Shqipëri nuk është vetëm ndër më të shtrenjtat në Europë në vlerë absolute, por bëhet më e kushtueshmja kur çmimi krahasohet me fuqinë blerëse të qytetarëve. Një shqiptar duhet të shpenzojë për një litër naftë rreth 2.6 herë më shumë nga të ardhurat e tij ditore sesa qytetari mesatar europian.

Çmimi i naftës në vend ka arritur në 229 lekë, ose rreth 2.46 euro për litër, duke e renditur Shqipërinë të tretën në Europë, pas Danimarkës me 2.60 euro dhe Norvegjisë me 2.56 euro. Mesatarja europiane për vendet e përfshira në krahasim është rreth 1.94 euro për litër.

Në rajon, Serbia ka një çmim prej gati 2 eurosh për litër, Mali i Zi 1.87 euro, Bosnjë-Hercegovina 1.76 euro, Kosova 1.85 euro, ndërsa Maqedonia e Veriut rezulton më e lira me 1.64 euro.

Por diferenca bëhet edhe më e fortë kur çmimi në pompë krahasohet me të ardhurat. Monitor ka analizuar çmimet e publikuara nga Global Petrol Prices dhe të ardhurat për frymë të FMN-së për vitin 2026, të matura sipas fuqisë blerëse (PPP). Ky tregues merr në konsideratë diferencat e niveleve të çmimeve mes vendeve dhe mundëson një krahasim më të drejtë të asaj që qytetarët mund të blejnë me të ardhurat e tyre.

Në Shqipëri, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse llogariten në rreth 25.2 mijë dollarë ndërkombëtarë në vit, ose rreth 69.2 dollarë në ditë. Me këto të ardhura, vetëm një litër naftë përfaqëson 3.56% të të ardhurave ditore, përqindja më e lartë në Europë.

Krahasimi me vendet ku nafta kushton më shumë në pompë nxjerr edhe më qartë diferencën. Në Danimarkë, ku një litër naftë kushton 2.60 euro, për blerjen e tij nevojitet vetëm 1.06% e të ardhurave ditore. Të ardhurat ditore për frymë atje arrijnë në rreth 245 dollarë ndërkombëtarë.

Në Norvegji, e cila renditet e treta në Europë për të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse, pas Irlandës dhe Luksemburgut, një litër naftë përfaqëson vetëm 0.8% të të ardhurave ditore.

Mesatarisht, në vendet europiane të analizuara nevojitet 1.36% e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë. Në Shqipëri nevojitet 3.56%. Kjo do të thotë se barra për qytetarin shqiptar është rreth 2.6 herë më e lartë se mesatarja europiane.

Hendeku thellohet edhe më shumë nëse Shqipëria krahasohet vetëm me Bashkimin Europian. Mesatarja në vendet e BE-së është 1.14% e të ardhurave ditore, çka do të thotë se shqiptari shpenzon proporcionalisht rreth 3.1 herë më shumë për një litër naftë sesa qytetari mesatar i BE-së.

Në rajon, pas Shqipërisë vjen Kosova, ku një litër naftë kërkon 3.1% të të ardhurave ditore sipas fuqisë blerëse, duke u renditur e dyta më e shtrenjtë në Europë sipas këtij treguesi. Nafta në Kosovë kushton 1.85 euro për litër, por të ardhurat ditore janë rreth 60 dollarë ndërkombëtarë, 14% më të ulëta se në Shqipëri.

Më pas renditen Bosnjë-Hercegovina me 2.66% dhe Serbia me 2.09%. Raporti më i favorshëm në rajon rezulton në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, përkatësisht me 1.89% dhe 1.88% të të ardhurave ditore.

Një nga faktorët që rëndon çmimin në Shqipëri është barra fiskale, e cila zë gati gjysmën e çmimit përfundimtar të karburantit. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku mbi çmimin bazë rëndojnë kryesisht akciza dhe TVSH-ja, Shqipëria aplikon edhe taksa të tjera.

Përveç akcizës prej 39.4 lekësh për litër dhe TVSH-së 20%, mbi naftën rëndon taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.

Në Maqedoninë e Veriut, TVSH-ja për naftën dhe benzinën është 18%, ndërsa gjatë periudhës së rritjes së çmimeve u ul në 10%. Kosova aplikon gjithashtu TVSH 18%. Mali i Zi ka TVSH 21%, por mbi naftën aplikon vetëm TVSH-në dhe akcizën, ndërsa kjo e fundit është përgjysmuar si masë për amortizimin e rritjes së çmimeve.

Në Serbi, TVSH-ja është 20%, ndërsa akciza para nisjes së luftës arrinte në ekuivalentin e 59.5 lekëve për litër. Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, Serbia e uli akcizën me 25%, masë që është riaktivizuar edhe disa javë më parë.

Në Shqipëri, ndërkohë, nafta ka arritur në 229 lekë dhe benzina në 219 lekë për litër, duke shënuar nivele të reja rekord. Pavarësisht rritjes, vendi nuk ka ndërmarrë masa të reja fiskale për të zbutur goditjen mbi qytetarët dhe bizneset.

Mekanizmi i parashikuar për uljen me 20% të akcizës mbetet i kufizuar në zbatim. Sipas skemës, ulja aktivizohej kur nafta kalonte 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë, por aplikimi i saj lidhej me funksionimin dhe vendimmarrjen e Bordit.

Në fund, shifrat nxjerrin në pah kontrastin: shqiptarët kanë të ardhura shumë më të ulëta se qytetarët e vendeve më të pasura europiane, por përballen me një nga çmimet më të larta të naftës në kontinent. Kur matet me fuqinë blerëse, barra e një litri naftë në Shqipëri është më e larta në Europë.