Pasi e akuzoi se ka gisht në të shtënat e armë në punë, vjen reagimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rrok Dodaj. Ky i fundit deklaron se prej vitesh në krye të bashkisë së Pukës ndodhet Gjonaj, të cilin e akuzon si ‘narkotrafikant’. Po ashtu, Dodaj i bën thirrje strukturave të policisë së shtetit, shefit të Komisariatit Pukë, të mos shfrytëzojnë pozitën e tyre, të mos bëjnë pis ngjyrën e uniformës, duke u shndërruar në militantë politikë, por të jenë në lartësinë e përgjegjësisë dhe detyrës që u ngarkon ligji.
“Sa më shumë i afrohemi 14 majit, banda që ka drejtuar pushtetin vendor prej 8 vitesh, me në krye narkotrafikantin Gjon Gjonaj, përmes grupeve të armatosura, të cilat i strehon në Hotel Turizëm Puka, synon të ushtrojë presion dhe shantazh mbi banorët pukjan. Të frymëzuar nga etërit e tyre politikë, që pushteti mbahet me grykën e pushkës, natën e mbrëmshme, killera me pagesë që vërtiten të armatosur rrugëve të qytetit, duke i bërë karshillëk policisë së shtetit, kanë tentuar të intimidojmë qytetarë të lirë dhe mbështetës të opozitës. Prej kohësh, u kemi bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, të mos bien “pre” e ngordhësirës që është në grahmat e fundit, pasi kjo qënie ligë, po përdor çdo mjet për t’u grabitur qytetarëve të drejtën e lirisë së votës.
Situata është tragjikomike, kur klithmave të tij për agresion, u përgjigjet në harmoni të plotë edhe shefi i Komisariatit të Policisë Pukë, i cili ngjarjen e referon në unison me deklaratën e shtabit elektoral të PS.
Dua t’i bëj thirrje strukturave të policisë së shtetit, shefit të Komisariatit Pukë, të mos shfrytëzojnë pozitën e tyre, të mos bëjnë pis ngjyrën e uniformës, duke u shndërruar në militantë politikë, por të jenë në lartësinë e përgjegjësisë dhe detyrës që u ngarkon ligji.