Ditën e sotme Policia ka marrë një sërë masash ndaj katër shtetasve, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. Uniformat blu kanë ndaluar një 48-vjeçar, për shkak të grabitjes së disa produkteve në një market. Një i pastrehë po kështu është prangosur, pasi ka tentuar ti vjedhë celularin një shtetasi në Tiranë.
Po në pranga ka rënë një 70-vjeçar, pasi ka goditur me sëpatë bashkëshorten e tij, e cila ndodhet në spital. Një 60-vjeçar banues në Tiranë është arrestuar, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, është përplasur me dy automjete të tjera.
NJOFTIMI I PLOTË:
Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin D. V., 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka vjedhur disa produkte, në një market.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin I. P., 30 vjeç, i pastrehë, pasi ka tentuar t’i vjedhë aparatin celular, një shtetasi, te sheshi “Skënderbej”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë arrestuan shtetasin Q. B., 70 vjeç, banues në Breg Shkozë, Prezë, pasi ditën e djeshme, ka goditur me mjet prerës (sëpatë), bashkëshorten e tij, shtetasen V. B., e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin E. T., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, është përplasur me dy automjete të tjera, me pasojë vetëm dëme materiale.
–
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. K., banues në Prezë, Vorë, pasi gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pushkë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.