Ditën e sotme kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin, këtë të mërkurë.
“I tronditur nga ngjarja e sotme në Shëngjin, ku mbeti i vrarë Ardian Nikulaj, biznesmen dhe anëtar i Këshillit Bashkiak. Një ngjarje e tillë është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë publike në qytetin tonë.”
Ndreu bëri thirrje për zbardhje të ngjarjes. “Kërkoj me forcë nga organet e rendit dhe prokurorisë që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen për të vënë përballë ligjit autorët e kësaj ngjarjeje të shëmtuar! Shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të afërmeve për këtë humbje kaq tragjike”.
Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri brenda ambienteve të lokalit të tij, pranë portit të Shëngjinit, paraditen e së mërkurës.
Kujtojmë se personat që ekzekutuan Ardian Nikulajn, e kishin ndjekur biznesmenin prej kohësh dhe prisnin momentin e duhur për ta vrarë. Siç raportohet, në momentin që kanë parë që është futur vetëm në lokalin e tij, autorët janë afruar nga dera e pasme e biznesit me motor. Më pas, njëri prej tyre, veshur me një jelek fosforeshent, me maskë farmaceutike dhe skafandrën e motorit në kokë, u fut brenda dhe qëlloi në drejtim të biznesmenit.
Sipas të dhënave të deritanishme, ai ka qëlluar të paktën shtatë herë me silenciator. Më pas u largua pasi jashtë e priste bashkëpunëtori me motor. Të dy janë zhdukur pa gjurmë dhe nga çfarë raportohet deri më tani, pasi kanë braktisur motorin, kanë hipur në një mjet tip ‘Range Rover’ me ngjyrë të zezë e targa angleze.