Ditën e sotme kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e njësisë administrative 5 në Tiranë, ku bëri prezantimin e programit. Ai u shpreh se do i japë fund skemave me akt-ekspertiza të porositura nga Veliaj, që sipas tij u thotë “ekspertëve” nxirreni të dëmtuar, të pariparueshëm një pallat.
Fjala e Këlliçit:
1.Pallatet 50-vjeçare nuk do të shemben! Ne bashkë, të gjithë sa jemi, do u shembim sistemin që kanë ngritur, që prishin pallatet tuaja për të ngritur pallatet e tyre. Të prishim pallatet “Agimi” për të ndërtuar pallatet “Erioni”?! Në dorë e keni. Hiqni atë nga bashkia ose ju heqë ai nga shtëpia! Ndryshimi është në duart e tua!
Unë do ngre një komision auditi, në përbërje të së cilit do të ketë se s’bën. Një përfaqësues nga vetë banorët e pallatit. Unë do i jap fund skemave me akt-ekspertiza të porositura nga Veliaj; që u thotë “ekspertëve” nxirreni të dëmtuar, të pariparueshëm, se ashtu është një muhabet.
Shqiptari punon një jetë për të siguruar një shtëpi për të futur kokën. Kush je ti që vete u tund para syve një letër të sajuar në zyrat e tua, dhe u thua “Po ta prish shtëpinë se do të ta bëj më të bukur”. Te shtëpia është kufiri. Këtë muhabet nuk e dëgjoni më në 15 maj.
2.Njësia 5 është e pushtuar nga betoni. Si nuk i shkoi në mendje kryetarit që një hapësirë të vogël ta bënte për gjelbërim, por gjej e jep leje-ndërtimi. Por kur jepen miliona metra katror për beton, nuk u gjenden 200 metra për gjelbërim?! Gjenden që ç’ke me atë punë! Kur ke vullnet për gjelbërim, i gjen. Një oazë pastërtie për lagje. Një kënd pushimi për lagje. Kush u thotë që s’ka hapësira, i do hapësirat për vete, për klientët, për beton.
3.Premtoj ndërtimin e një shkolle të mesme në Njësinë 5. Klasat janë të mbipopulluara dhe nuk shkolla vazhdon me 2 turne.
4.Transporti publik FALAS dhe Rishikimi i Taksave dhe Tarifave Vendore
Të mirat e transportit publik FALAS, në uljen e ndotjes, përdorimit të automjeteve dhe shpenzimeve ditore. Transporti publik FALAS dhe ndryshimet në taksa e tarifa do të lehtësojnë xhepin e qytetarëve dhe biznesin. Unë do të heq barrën që ju ka vendosur bashkia mbi supe, që ju të kurseni më shumë dhe të shtoni të ardhurat. Tirana ka nevojë të rritet ekonomikisht që jetesa të bëhet e përballueshme. Bashkia nuk do jetë më gogoli i biznesit! Frymëmarrje nga taksat mbytëse aktuale! Ndryshimi është në duart e tua!