Ditën e sotme Kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Divjakës në zgjedhjet e 14 majit. Në fjalën e tij, Berisha tha se Aurel Malko dhe kandidatët e tjerë të dalë nga Primaret janë emra të zgjedhur nga vota e lirë dhe jo nga bodrumet e mafias, siç ndodh sipas tij me emrat e Partisë Socialiste. Berisha vuri theksin tek rritja e çmimeve dhe tha se me kalimin e viteve shqiptarët sa vijnë e varfërohen. Sipas tij, qeveria vjedh mundin dhe djersën e 80-90% të shqiptarëve në mënyrë absolute. Ai përmendi dhe deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama lidhur me shërbimet mjekësorë dhe tha se tu kërkosh njerëzve të paguajnë shtesë për shërbim më të shpejtë mjekësor. Kjo, sipas Berishës është totalisht e papranueshme.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Kandidatët tanë kudo që janë, vijnë ballëhapur para qytetatëve, vijnë pasi janë provuar, besuar nga vullneti i tyre. Kandidatët e krahut tjetër vijnë nga bodrumet e mafias, vijnë në një mënyrë që askush nuk e merr vesh. Dje isha në Has. Kandidati i Hasit kishte dy emra dhe 4-5 arrestime. Ishte si puna e atij, që keni para këtij Gorresë, si puna e Kokoneshit. Kandidatët e krahut tjetër në tërësi, janë vëllezër në vese me kreun e tyre, janë të sprovuar në aktet e vjedhjes dhe shpërdorimit. Por ata kanë një tipar të përbashkët, ata për qytetarët nuk duan të ja dinë, atyre nuk ua ndjen aspak për problemin e qytetarë. Ju garantoj se Aureli dhe të gjithë kandidatët e primareve, janë dhe do jenë shërbëtorë tuaj. Janë dhe do të jenë menaxherë, drejtues me transparencën më të madhe të kësaj bashkie dhe çdo bashkie. Se ata në standardet më transparente do të përdorin çdo qindarkë të taksave tuaja apo burimeve tjera, për të ju mbështetur ju, fermat tuaja, biznesin tuaj, ndryshimin, infrastrukturën, pra për një zhvillim të pandërprerë të komunitetit dhe bashkisë. Problemi numër 1 i shqiptarëve është problemi ekonomik.
Po pse thoni ju, çfarë ndodh sot. Sepse sot nga 2013 gjer këtë vit, çmimet janë rritur nga viti në vit. Vetëm me rritjen e çmimeve nga viti 2021-2022, çdo njëri prej jush ka humbur 430 mijë lekë, sipas ekspertëve. Imagjinoni, pra ka humbur pothuajse një rrogë, në një kohë kur ai që shëtit me avion personal dhe dhomë gjumi, shëtit gjithë botën, kishte premtuar për ju rrogën e 13, pensionin e 13. Tani faktikisht merrni 11 rroga, 11 pensione, kjo është e vërteta. A i dëgjoni ata deputetë aty në parlament ju, të tyre, e pabesueshme. Sikur nuk ekzistoni, sikur nuk keni halle, sikur ju keni të gjitha atributet e tyre. Por çfarë ndodh në realitet. Në realitet ata vjedhin mundin dhe djersën tuaj 80-90% të saj në mënyrë absolute.
E kemi një problem, edhe ua kërkoj ju që të ndaleni me çdo qytetar. Për fat të keq ka akoma nga ata qytetarë që thonë, hë mo se ato para të qeverisë janë, nuk janë të miat. Hë mo se ato prona të qeverisë janë, nuk janë të miat. Miqtë e mi! Qeveria nuk ka asnjë qindarkë, përveç parave tuaja. Çdo qindarkë e qeverisë merret nga djersa, taksa, pasuritë tuaja. E them këtë se në rast se qytetarët do ta kishin të qartë se si ju vidhen pasuritë atyre, këtë qeveri nuk do ta pranonin as 24 orë. Jo. Por tani ama, vjedhin haptas për fushë, nuk kanë asnjë kufi. Ndërtojnë kilometrin e rrugëve, rrugën anësore Lekaj-Fier, e ndërton me 7.2 mln euro. Autostrada Shkëmbi i Kavajës-Rrogozhinë, ka kushtuar 1.3 mln euro kilometri. Autostrada Rrogozhinë-Lushnje, 1.5 mln euro kilometri, autostrada Lushnje-Fier ka kushtuar 1.2 milionë euro. Bajpasi që ka standardet më të larta, i ndërtuar me paratë e bankave, se i mbikëqyrin bankat, ka kushtuar 2.8 mln euro.
Kurse ajo që ndërtohet me paratë tuaja të buxhetit, kushton 24 mln euro, kushton 27 mln euro. Po pse, sepse vjedhin dhe vetëm vjedhin. Kjo është e vërteta. Shkollat, ka manuale ndërtimi, manuali i BE-së për ndërtimin, manuali i SHBA-së për ndërtimin. Janë manualet më kryesore që sot përdoren. Ato diktojnë çdo çmim nga gozhda tek betoni, tek soleta tek çdo gjë tjetër. Mbi këto manuale me paratë e donatorëve në Tiranë, të mbikëqyrura nga PNUD-i, shkolla ndërtohet me 680 mijë euro. Me paratë tuaja, të taksëpaguasve tuaj, shkolla ndërtohet 6 mln euro. Ndërtohet pra sa 8 apo 10 shkolla. Po pse, vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen.
Kjo është e vërteta. Dhe del tani pas 8 vitesh dhe thotë se do ti rrisim rrogat aq, do ti rrisim rrogat kaq. Mashtron në mënyrë të paskrupullt, harron se shqiptarët e dinë se kush është ai. Po lexoja sot duke ardhur këtu, thoshte se tani, ata që duan të operohen brenda 2 ditësh, ata duhet të paguajnë. Shkatërrimi përfundimtar i kujdesit shëndetësor. Ai që ka nevojë për tu operuar ai duhet të presë në radhë, sa të operohen të gjithë ata që kanë mundësi dhe ai të vdesë nga sëmundja pa u operuar. Pa më thoni ju mua. A mund të pranohet një diskriminim i tillë. Por meqë jemi këtu, a do më falni të lexoj se çfarë thoshte ky, kur erdhi në pushtet, pikërisht për këtë, pikërisht për shëndetësinë: Shërbimi shëndetësor dhe kujdesi shëndetësor në shkallë kombëtare do të jepet falas qytetarëve, 1. Prisni pak ju lutem. Kujdesi shëndetësor do të jepet sipas nevojës, jo sipas mundësisë, jo sipas xhepit. Kurse tani u thotë shqiptarëve, kujdesi sipas xhepit.