Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas akuzave të bëra ditën e sotme nga kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit tha se vëllai i Alibeajt ka qënë i dënuar mirëpo nuk pranohet si fakt nga deputeti, duke shtuar se po fshihet nga Rama. Deputeti i quan këto akuza shpifje duke shtuar se vijnë nga shkolla politike e Berishës e komunizmit.
Më tej, Alibeaj shton se ligji për dosjet dhe lustracionin është domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare, për të rivleresuar të shkuarën e për të ndërtuar të ardhmen pa pengjet e një të kaluare, duke nënkuptuar në këtë mënyrë Berishën.
REAGIMI:
Akuzat dhe shpifjet në gojën e Sali Berishës, janë refren i njohur në politikën shqiptare. Vazhdoj ti mbetem bindjes se një gjuhë e tillë meriton përçmimin dhe neverinë që tashmë shqiptarët dinë tja japin politikës së vjetëruar. Ajo që Sali Berisha e quan bashkëpunim për ligjin e dosjeve, është thëngjilli që i djeg ish-komunistëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, që për vite me rradhë përdoren PD-në dhe të djathtën si mburojë të tyren.
Akuzat ndaj familjarëve, janë pikërisht rrjedhojë e shkollës politike të komunizmit dhe biografive, që për dhjetra vite persekutuan shqiptarët. Ligji për dosjet dhe lustracionin janë domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare. Është mënyra për të rivleresuar të shkuarën, për të ndërtuar të ardhmen pa pengjet e një të kaluare që i ka shkaktuar dëme të mëdha shoqërisë sonë.
Po çfarë tha sot Berisha?
Kryedemokrati akuzoi deputetin Enkelejd Alibeaj, duke thënë se i vëllai, Taulant Alibeaj ka qënë i arrestuar në vitin 2016 në Gjermani. Kryedemokrati tha se edhe sot, Alibeaj vijon ta mohojë këtë arrestim, por gjithashtu nuk jep detaje për vendndodhjen e të vëllait.
“Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, i arrestuar për pengmarrje me armë, edhe sot e kësaj dite nuk tregon se ku ndodhet, s’e di askush. Për këto rekorde kriminale ai mund të mos ishte zgjedhur kurrë deputet, gruaja e tij nuk do të ishte dot në gjykatë. Kjo nuk është shpikje këto janë të gjitha të bazuara në dokumente. Ky është një akt shumë i rëndë. Alibeaj kur ka një problem të tillë, ose e bën publike dhe e dënon e del mënjanë….por jo të mbahet peng. Nuk ndodh kjo, ke dëgjuar ti që i kanë përjashtuar nga Vettingu vetëm me një nip apo stërnip të akuzuar për diçka. Por ky ka vëllanë e ajo tjetra ka kunatin. Si kriminel atje duke vjedhur e plaçkitur me armë. Por ky e mban të fshehtë me Ramën. Si mund të bëhet kjo?”
Kush është vëllai i Alibeajt?
Në vitin 2016 u raportua se vëllai i Enkelejd Alibeajt, Taulant Alibeaj është arrestuar në Gjermani për grabitje me armë. Pas arrestimit, siç u raportua në atë kohë, ai u është prezantuar autoriteteve vendase si një efektiv policie në Shqipëri, duke dorëzuar një dokument që ka rezultuar i falsifikuar me emrin Xhavit Mornica. Policia gjermane ka kërkuar informacion nga homologët shqiptarë, të cilëve u ka nisur fotografinë dhe shenjat e gishtave. Pasi u verifikuan këto të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë rezultoi se ai person në fakt ishte Taulant Alibeaj dhe se ka qënë pjesë e uniformave blu deri në Qershor të vitit 2013 kur edhe është larguar me dëshirë. Ai ka qënë pjesë e Repartit Special “RES”. Vetë Taulant Alibeaj ka mohuar gjithçka, duke u shprehur se nuk ka asnjë problem me drejtësinë gjermane. Të njëjtit version i ka qëndruar edhe deputeti Enkelejd Alibeaj.