Ditën e sotme bëhet e ditur se ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është vënë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas disa muajsh verifikime, SPAK i ka nisur hetimet dhe ka marrë nën hetim Ahmetajn për veprat penale: “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”.
Hetimi ndaj socialistit ka nisur si pasojë e bashkimit të dy procedimeve penale, një nga të cilët është procedim i ndarë nga hetimi i SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit; e këtij të fundit i është shtuar edhe kallëzimi i bërë nga gazetari Adriatik Doçi, i cili ngrinte dyshime për disa shkelje nga ish-zv.kryeministri. Për çështjen e parë, Ahmetaj po akuzohet për procedurën e ndjekur nga Ahmetaj për dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektit të ndërtimit të inceneratorit dhe dakordësinë e Ministrisë së Financave për ta ndërtuar përmes negocimit pa shpallje.
Ndërsa për procedimin e dytë, gazetari Adriatik Doçi paraqet prova sesi shtetasi Klodian Zoto përdori kartën e tij bankare për të paguar udhëtimet ndaj Arben Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij Erjola Hoxhës, në hotele të ndryshme të Europës. Ndërkohë që akuza për pastrim parash i është ngritur për vilën në Hamallaj, e cila është në emër të ish-bashkëshortes së tij.
Kujtojmë se disa ditë më parë, efektivët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontrolle në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt dhe partneres së tij të tanishme. Lidhur me kontrollet, Ahmetaj bëri ankesë, duke u shprehur se janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kontrolli u ushtrua në një vilë në zonën e Hamallajt, ku u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë ndërtesë. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente.