Ditën e sotme Sekretari i Përgjigjshëm i PS-së Damian Gjiknuri ka sulmuar kreun e PD-së Sali Berisha pas akuzave të këtij të fundit. Gjatë fjalës në Kuvend, Gjiknuri deklaroi se Berishës sa herë që i humb vula i ngrihet sa më shumë zëri. Gjithashtu Gjiknuri ka përmendur i ka përmendur Berishës edhe tragjedinë e Gërdecit si dhe 21 Janarit.
“Në fakt, për çudi ky Parlament sot për këtë projektligj që ka të bëjë me integrimin, duhet të kishte një mesazh tjetër. Aq më tepër që sot kemi në një vizitë shefin e diplomacisë europiane, ku jep mesazhe progresi, mesazhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë, gjë që normalisht duhet të reflektohej në Kuvend nga të gjitha palët politike. Po kemi dhe këtë “vulëhumburin”, që gjithmonë, sa herë i humb vula i ngrihet më shumë zëri, që fatkeqësisht i kthehen “fantazmat e vdekjes” për ato krime që ka kryer ndër vite, qoftë në Gërdec apo vrasjet e 21 Janarit. Pikërisht kjo “fantazëm” e mban peng këtë vend. Kjo është fatkeqësi për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për debatin politik. Ku po shkon ky vend kështu?! Ç ‘është ky dialog politik?! Ç ‘është kjo dëshirë e zjarrtë për të kthyer vazhdimisht tension, për ta paraqitur vendin si vendin e zi të Europës, pikërisht nga ata njerëz që kanë përgjegjësi direkt për shumë e shumë vite për mënyrën sesi e kanë qeverisur këtë vend e që vijnë përsëri me të njëjtat metoda që u burojnë nga e kaluara e tyre. Kjo është ajo që s’duhet të pranojnë shqiptarët,” tha Gjiknuri.