Ditën e sotme deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka reaguar pas artikullit të botuar në media ndërkombëtare se ajo ka marrë pagesa nga kompani ruse. Për ‘Albanian Post’, Kryemadhi shprehet: Mafia e inceneratorëve vijon të paguajë portale kombëtare dhe ndërkombëtare për të publikuar “fake neës”.
E pyetur mbi çështjen, deputetja e bëri të qartë se gjithë këto akuza, janë të lidhura me atë çfarë ajo cilëson si “mafia e inceneratorëve”. Më tej, ajo shton se nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë aksionere në kompani të tilla ruse, kineze, e aq më pak offshore, “siç pretendendohet nga të financuarit e inceneratorëve në Shqipëri”.
Po të mos ndalojnë pagesat prej 100 mijë eurove në ditë nga taksat e shqiptarëve, sigurisht që do të vazhdojnë portalet të paguhen për të vjellë lajme ‘bombastike’”, tha ajo duke shtuar se të gjitha do të provohen dhe dëshmohen se janë lajme të rreme.
Kryemadhi hodhi akuza ndaj medias EUReporter, për të cilën thotë se është jo vetëm “e blerë nga Rilindja, por edhe bashkëpunëtor i njohur i kompanive kineze dhe lobon për ta”.
Një shkrim i botuar ditën e sotme nga “europorter.co”, ka zbuluar se Monika Kryemadhi, ish-kryetarja e LSI, Lëvizja Socialiste për Integrim, sot me emrin (Partia e Lirisë) ka marrë disa transferta parash nga oligarkë rusë. Në artikull thuhet se në vitin 2017, Monika Kryemadhi, ka marrë disa pagesa nga disa kompani ruse ‘offshore’. Kompanitë iu përkasin Vradus Holdings, Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan. Siç përshkruhet në dokumente, paratë janë dhënë me përshkrimin ‘dividend për aksionarët’ dhe ‘shërbimet e marketingut’.