Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë arsimtarëve që të ngrihen në protesta. Në fjalën që mbajti në një takim për rastin e 7 Marsit, Berisha kërkoi që të gjithë mësuesit të angazhohet e të përdorin fuqinë e tyre për tu ngritur në protesta për të rrëzuar qeverinë aktuale. Kreu i PD-së tha se sistemi në të cilin po jeton Shqipëria është një monizëm identik me atë të viteve 1990-91.
Fjala e Berishës
Unë shfrytëzoj këtë rast për të ju drejtuar të gjithë mësuesve të Shqipërisë. Të angazhohen me të gjithë mundësitë e tyre, fuqitë e tyre, të bëhen promotorë të ndryshimit që presin shqiptarët dhe Shqipëria. Të ndryshimit jetik për të ndaluar këtë rrokullisje të madhe. Në 9 vite kemi humbur 1/3 e materies kombëtare. Nëse këto ritme vazhdojnë për 16 vite nuk mund të thuhet se kush do jetë më në këtë vend. Ky është një kushtrim për çdo shqiptar. Është një kushtrim për çdo intelektual, mësues, mjek, inxhinier, jurist dhe të gjitha profesioneve. Të mos harrojnë se thelbi i tij është mbrojtja e interesit publik. Ai është intelektual dhe ka për mision, sigurisht profesioni është profesion, por thelbi i tij qëndron në mbrojtjen e interesit publik.
Nuk ka sëmundje më të tmerrshme për njeriun e librit, njeriun e dijes, për profesionistin, se sa konformizmi. E ka thënë Albert Ajnshtajni: ky rrezik është më i madh se rreziku nuklear për njeriun dhe njerëzimin. Ndaj dhe thirrja ime është për mësuesit, pedagogët, studentët; të ngrihemi, të bashkohemi për të rrëzuar këtë monizëm. Monizmi i sotëm në rrafshin e përqendrimit të pushteteve është absolutisht identik me monizmin e vitit 1990-91. Baza e monizmit ndryshon; ai kishte në bazë doktrinën ç’njerëzore marksiste leniniste, kurse ky ka në bazë horrorin e krimit, drogës dhe varfërimin e shqiptarëve.