Ditën e sotme dy persona janë vënë në pranga nga policia kufitare në Rinas dhe në portin e Durrësit. Policia njofton se njëri prej tyre ka tentuar të kalojë kufirin me dokument të falsifikuar, ndërsa një tjetër është kapur me mallra kontrabandë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 13 mijë euro, aksesorë floriri dhe 4 kuti cigare puro me vlerë 2320.
NJOFTIMI I POLICISË:
Departamenti i Policisë Kufitare
Kontrolle të shtuara në pikat e kalimit kufitar, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Evidentohen dhe goditen 4 raste të paligjshmërive të ndryshme, në hyrje dhe në dalje të RSh-së, vihen në pranga 2 shtetas, në hetim 2 të tjerë.
✅Në PKK Rinas u godit një rast i tentativës për të kaluar kufirin me dokument të falsifikuar dhe një rast i kontrabandës së mallrave. Sekuestrohen 1 dokument fals dhe mallra (veshje) me vlerë rreth 13 000 euro.
✅Në portin e Durrësit u godit një rast i mosdeklarimit të sendeve me vlerë dhe një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë. Sekuestrohen aksesorë floriri dhe 4 kuti me cigare (puro) me vlerë totale 2320 euro.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pkk-të e vendit, bazuar në analizat e riskut, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare. Si rezultat, u goditën 4 raste të paligjshmërive në fusha të ndryshme.
-Në PKK Rinas, në dalje, bazuar në analizën e riskut, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar për kontroll më të detajuar shtetasin E. B. Nga verifikimet në laboratorin e dokumenteve rezultoi se leja e qëndrimit që kishte paraqitur ky shtetas, ishte e falsifikuar.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në hyrje, kanë kaluar për kontroll më të detajuar valixhet e shtetasit R. S. Gjatë kontrollit të valixheve të tij janë gjetur veshje të ndryshme (me vlerë rreth 13 000 euro), të dyshuara të kontrabanduara.
Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 21 vjeç, banues në Kosovë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. S., 28 vjeç, banues në Tiranë.
-Në Port Durrës, në hyrje, u godit një rast i modeklarimit të sendeve me vlerë. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik i janë gjetur aksesorë të ndryshëm floriri, që dyshohet të jenë të vjedhura.
Gjithashtu, po në hyrje, në port Durrës, u godit një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 49 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij janë gjetur 4 kuti me cigare (puro), më vlerë totale 2320 euro.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.