Ditën e sotme Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi sot publikisht skemën e gjobëvënies nga ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal. Berisha tha sot se pjesë e kësaj skeme ishte dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim. Por Berisha tha se listat e biznesmenëve dorëzoheshin nga ish-kryedemokrati Lulzim Basha.
“Po ndalem te skandali i fundit! U faktua se Edi Rama, i biri i xhelatit që vari kundërshtarin politik, poetin disident, kontraktoi vrasës me pagesë: kryezbuluesin e institucionit më kryesor në SHBA, një tradhtar i vendit të tij. Me grupin e tij, i paguar nga Edi Rama, shpallte në televizionet shqiptare, Sali Berishën si kukull të Putinit. Gjithçka për narrativën e shkatërrimit të opozitës. Çështja McGonigal është një çështje shumë e thellë dhe ne do ia themi shqiptarëve. Çështja nuk përfshin vetëm McGonigal. Sot në botë ushtojnë skemat e tij e gjobëvënies. Po kush mori pjesë në këtë skemë? Unë i bëj thirrje Kongresit dhe FBI të hetojë rolin e Edi Ramës dhe Yuri Kim në këtë gjobëvënie. Edi Rama u thoshte të tjerëve se zoti Escobar më ka dorëzuar listën e biznesmenëve që do sanksionohen. Kjo është e vërteta. Yuri Kim thërriste një e nga një biznesmenët në zyrë, pse financoni Foltoren se do sanksionoheni. A ishte kjo një skemë që të shkonin dhe të paguanin te Mark Rossini dhe McGonigal gjobat? Çfarë ishte kjo skemë? Pra, kjo ishte një skemë në të cilën Edi Rama po fuste në dorë, në skllavërim të plotë, biznesmenët me lista, kësaj radhe të dorëzuara nga Lulzim Basha. Po! Po të mos ishte skema McGonigal, nuk kisha të drejtë të bëja asnjë lidhje para jush këtu. Por duhet të jesh naiv të mos bësh këtë lidhje. Prandaj i bëj thirrje Kongresit të SHBA, FBI, Departamentit të Shtetit të hetojë. A ju kujtohet kur në televizionet shqiptare flisnin për 150 të sanksionuar? Çfarë ishte kjo? Bëhuni klientë të McGonigal, përndryshe jeni të sanksionuar,” tha Berisha.