Ditën e sotme bëhet e ditur se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur zyrtarisht hetimet për Endri Mullain, Drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, dikur drejtor i Tenderëve në Ministrinë e Bujqësisë kur dikasteri drejtohej nga Bledi Çuçi,
Disa ditë pas shoqërimit të tij në ambientet e Byrosë Kombëtare të Hetimit, mësohet se Mullai është lënë i lirë brenda pak orëve, por burimet jozyrtare tregojnë se i janë sekuestruar rreth 30 mijë euro. Syri Televizion iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion, Prokurorisë së Posaçme në lidhje me hetimet por edhe shumën e parave që i janë sekuestruar.
SPAK pranoi se ka në hetim procedimin penal nr. 179/2022 dhe se është në fazën e hetimit paraprak. Por sa i përket sekuestrimit të parave dhe vlerës në fjalë, në përgjigjen e kësaj Strukture nuk bëhen të ditura detaje për shkak të sekretit hetimor.
Mullai u shoqërua para disa ditësh nga BKH. Në SPAK janë depozituar disa kallëzime penale për Mullain nga disa firma private që pretendojnë se drejtori kishte abuzuar me dhënien e tenderave.
Por njëra nga shkeljet duket se është edhe më flagrantja nga të gjitha. Endri Mullai në Ministrinë e Brendshme, më 22 maj 2022, dy muaj pas shpalljes në kërkim e sekuestrimit të pasurive të tij, i ka dhënë Gentian Sharrës (i cili akuzohet nga i penduari i dejtësisë Nuredin Dumani për vrasje dhe përfshirje në mega-grabitjen e Rinasit,) tender 2.5 milionë Euro për furnizimin me mish, nëpërmjet subjektit “Olta Sharra”. Subjekti firguron në emër të gruas së tij, e cila edhe më herët kishte marrë tendera për institucione të tjera, si psh. Psikiatrinë e Elbasanit.
Kush është Gentian Sharra?
Gentian Sharra nga Elbasani, i cili akuzohet nga SPAK për 5 grabitje, kryer në bashkëpunim me Talo Çelën dhe me Nuredin Dumanin, bashkëpuntorin e drejtësisë që ka rrëfyer krimet e tmerrshme të 10 viteve të fundit, të 8 grupeve kriminale në Shqipëri. Emri i Gentian Sharrës u bë i njohur për drejtësinë dhe mediat në hetimet e grabitjes së Rinasit. Ai mori me qira asokohe servisin ku u modifikua furgoni që u përdor më pas për grabitjen në aeroport. Nga dosja e SPAK mësohet se Gentian Sharra është akuzuar si organizator dhë bashkëpunëtor i disa grabitjeve të tjera. Por së fundmi ka qenë edhe shumë i përmendur nga politika, pasi shpeshherë kryedemokrati Sali Berisha e bashkangjit emrin e tij me atë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Megjithatë ky i fundit asnjëherë nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga Berisha kundrejt tij. Aktualisht Sharra është në prangat e Policisë së Shtetit, ndërkohë që i janë sekuestruar 5 milion euro pasuri dhe një vilë në fshatin Katund i Ri