Ditën e sotme zona mes Fushë Krujës dhe Laçit është kthyer në fokusin e Policisë së Shtetit këtë pasdite, e cila është vënë sërish në kërkim të ndonjë gjurme që mund të zbardhë fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë prej 9 gushtit, Ervis Martinaj. Pas kontrolleve në Fushë Kuqe dhe Surrel, ku Martinaj kishte ngritur vilat e tij, këtë herë, Forcat Operacionale kanë rrethuar zonën që lidh rruga e vjetër e Fushë Krujës me Laçin. Nga ana e Policisë së Shtetit nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me këtë operacion, ndërkohë që raportohet se kontrollet janë ende në vijim.
Pasditen e djeshme, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë zhvilluar kontrolle në dy vilat e Martinajt, që ndodhen shumë pranë banesës së kryeministrit Edi Rama, në Surrel. Kontrolli zgjati dy orë dhe efektivët dolën që aty vetëm me një tufë me dokumente që nuk dihet nëse do t’i shërbejnë hetimit. Asgjë e paligjshme nuk u gjet, ndryshe nga aksioni i zhvilluar në Fushë Kuqe që zbuloi arsenalin me armë e uniforma policie në kosheret e bletëve.
Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë gjurmë.
Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version. Ish-efektivi Jeton Lami që u arrestua pas zhdukjes së tij është personi kyç që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit, por efektivi deri më tani nuk ka hapur gojë.