Ditën e sotme dy pikë-kalimet kufitare, ai në Jarinjë dhe tjetri në Bërnjak, janë hapur për qarkullim pas më shumë se dy javë bllokim si pasojë e barrikadave. Në njoftim thuhet se barrikadat janë hequr ashtu siç edhe ishin vendosur, çka edhe ka mundësuar hapjen e këtyre dy pikë kalimeve për qarkullim.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni. Sipas informacioneve nga terreni, barrikadat janë larguar edhe në Mitrovicë të Veriut. Barrikadat janë hequr nga rrugët edhe në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut. Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.
Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Dejan Pantiç u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit. Më 28 dhjetor, Pantiç iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.