Ditën e sotme kryetari i PD, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me anëtarët e Departamentit të Shëndetësisë.
Berisha tha se sistemi i shëndetësisë ka marrë në këto vite goditje nga më të rëndat në çdo rrafsh dhe u shkretua nga punonjësit.
Ai deklaroi më tej se Rama hoqi nenin, sipas të cilit në Shqipëri nuk mund të qarkullonin ilaçe të pamiratuara nga enti europian, ose enti amerikan. Sipas tij, u hoq ky nen i diktuar tërësisht nga enti farmaceutik i Beogradit me përfaqësuese Vilma Nushit.
“Përulem me nderimin më të madh para kontributit, shërbimit që bluzat e bardha me përkushtim të madh bëjnë për të sëmurët tanë në të katër anët e vendit. Ne takohemi sot në një kohë kur sistemi i shëndetësisë, sistem jetik për çdo shoqëri ka marrë në këto vite goditje nga më të rëndat në çdo rrafsh. Më shumë se çdo sistem tjetër, sistemi i shëndetësisë u shkretua nga punonjësit e saj të cilët këto vitet e fundit u larguan në emigracion në proporcione që riktheu treguesin mjek për banorë në vitet ’60 të shekullit të shkuar. Jo vetëm që Shqipëria nuk njohu progres në këtë tregues sh të rëndësishme, por e kundërta ndodhi, tregoi hapa mbrapa të periudhës sime studentore për shkak të një fuge masive të mjekëve dhe të infermierëve.
Në një takim që pata në Gramsh aty nga diskutantët ishte dhe një mjeke dhe tek fliste ajo tek përshkruante rrënimin e sistemit dhe kushtet në të cilat punonte të kthente dekada e dekada mbrapa. Doktoresha kishte në ngarkim tre qendra komunash me mbi 25 mijë banorë. Kolegë të mi kanë ikur. Si Gramshi është shumica. Sistemi ynë ka humbur pothuajse në tërësi atë që quhet rajonizim dhe që është i domosdoshëm për t’u përballur, për të plotësuar kërkesat, nevojat e këtij sistemi. Kudo mashtrimi, falsiteti, gënjeshtra kanë pasoja, por në shëndetësi kanë pasojat më fatale, kanë pasojë jetën. E vërteta është se në tërësi listën e ilaçeve sot e bëjnë kompanitë e prodhimit dhe pasi zhduken disa standarde të domosdoshme ligjore për Shqipërinë, ilaçet kallpe në farmacitë tona, në sistemin tonë farmaceutik janë rregull.
Ne kishim një ligj, sipas të cilit në Shqipëri nuk mund të qarkullonin ilaçe të pamiratuara nga enti europian, ose enti amerikan. Ndryshimi i parë që bëri Rama kur erdhi në pushtet, ishte abrogimi i këtij neni.
U hoq ky nen i diktuar tërësisht nga enti farmaceutik i Beogradit me përfaqësuese Vilma Nushit”, deklaroi Berisha.