Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në agjendën evropiane, ashtu si edhe pritjet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Steinmeier i bëri këto komente në Shkup, ku të martën qëndroi për vizitë zyrtare.
Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, ai tha se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është i arritshëm.
Kreu i shtetit gjerman tha se vizita e tij në Shkup është në funksion të përcjelljes së mesazhit se rajoni është në agjendën evropiane.
Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Steinmeier tha se normalizimi sa më i shpejtë i raporteve mes tyre është në interesin e BE-së.
“… për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, tha presidenti gjerman.
Propozimi që përmendi ai – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.
Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.
Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.
Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.
Gjatë qëndrimit në Shkup, presidenti gjerman tha se rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka edhe bashkëpunimi mes shteteve që bëjnë pjesë në nismën e njohur si Procesi i Berlinit.
Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si platformë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – për të përshpejtuar përafrimin e tyre me BE-në
Në kuadër të saj u arritën edhe disa marrëveshje, të cilat i përmendi Steinmeier.
“Mendoj se udhëtimi me karta identiteti, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e BE-së për të ndihmuar në problemet energjetike paraqesin një progres të rëndësishëm dhe etablimin e rajonit në një treg të përbashkët”, tha presidenti gjerman.
Duke folur për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe paralajmërimet e zyrtarëve maqedonas se ky proces mund të rrumbullakohet deri në vitin 2030, Steinmeier tha se askush nuk mund të premtojë diçka të tillë.
Ai i inkurajoi drejtuesit e institucioneve që të punojnë në përmbushjen e reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE.
“Do të doja që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet që procesi i reformave të lëvizë me shpejtësinë e nevojshme, shikuar nga këndvështrimi evropian. Shpresoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Nuk mund të them nëse kjo do të ndodhë në vitin 2030”, tha Steinmeier.
“Ju duhet ta kuptoni se, për momentin, askush këtë nuk mund ta thotë, asnjë nga politikanët në Maqedoninë e Veriut, në Gjermani apo në Bashkimin Evropian. Këtë askush nuk mund ta premtojë, por duhet të punoni që të arrihet ky synim”, tha presidenti gjerman.
Ai, po ashtu, tha se e mirëpret mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin rus.
“Maqedonia e Veriut është partner i besueshëm dhe si shtet anëtar i NATO-s po jep një kontribut të çmueshëm, të cilin ne e vlerësojmë lart”, u shpreh Steinmeier.
Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha se “vizita e presidentit gjerman në kushtet e ndryshimit të gjeopolitikës, kërcënimeve të sigurisë nga agresioni rus në Ukrainë dhe sfidave energjetike në kontinentin evropian, është konfirmim i miqësisë dhe vendosmërisë së Gjermanisë për të mbështetur rajonin”.
Ai theksoi se e vlerëson shumë përkushtimin e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Ne, tani 17 vjet, po përgatitemi për këto bisedime [për anëtarësim në BE]. Është periudha më e gjatë e përgatitjeve në historinë e BE-së. Ne jemi kandidati më i përgatitur për anëtarësim në BE në historinë e kësaj organizate. Unë jam i bindur se nëse ky proces nuk bazohet në aspektet historike dhe nëse bazohet në kriteret elementare evropiane dhe në vlerat evropiane, ne, në një afat rekord, do t’i mbyllim këto bisedime”, deklaroi Pendarovski.
Ai tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë partnere e besueshme e BE-së dhe NATO-s – si alternativa të vetme për të ardhmen e popullit dhe të shtetit në përgjithësi.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, mbajti një fjalim edhe para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, si dhe disa takime me drejtues të partive politike.
Maqedonia e Veriut ka nisur formalisht negociatat për anëtarësim në BE në muajin korrik. REL