Ditën e sotme kreu i Partisë Republikane dhe anëtari i Komisionit Zgjedhor Fatmir Mediu ka depozituar një projekt-ligj në Kuvend duke kërkuar që të rikthejë koalicionet parazgjedhore. Duke qenë se për tre javë Komisioni Zgjedhor nuk është mbledhur Mediu ka nis propozimet përmes nismave ligjore për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në projektligj po ashtu thuhet se heqja e koalicioneve parazgjedhore ishte një mekanizëm për të dëmtuar Opozitën.
“Dy ose me shume parti politike te riregjistruara si subjekte zgjedhore ne KQZ, sipas nenit 64 te këtij Kodi, mund te regjistrohen ne KQZ si koalicion zgjedhor ne shkalle vendi jo me vone se 60 dite përpara datës se zgjedhjeve, duke paraqitur marrëveshjen përkatëse te koalicionit. Marrëveshja duhet te përcaktoje nëse partitë përbërëse te koalicionit do te paraqiten ne votimin proporcional veçmas ne fletën e votimit ose nëse koalicioni do të paraqitet si subjekt i vetëm,” thuhet në projektligj.
Në këtë projektligj është reflektuar edhe hapja e plotë të listave zgjedhore, ku mandatet të shpërndahen në bazë të votave preferenciale.
“Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të listës shumëemërorë, bazuar ne procedurat dhe kriteret e mëposhtme: Kandidatet e listës shumëemërorë te subjektit zgjedhor, rirenditen në bazë të numrit të votave parapëlqyese, duke filluar nga numri me i larte i votave. Kur numri i votave është i barabarte, renditja përcaktohet me short. Ne fillim përfitojnë mandat kandidatet qe kane marre numrin me te larte te votave parapëlqyese. Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati më me pak vota ne shpërndarjen ne nivel zone zgjedhore e me pas ne rang vendi, i përket gjinisë me pak te përfaqësuar”, thuhet në projektligj.