Qeveria e Kosovës ka thënë se me shumë gjasë nesër do të ketë një takim në Bruksel. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e ka konfirmuar këtë duke shtuar se do të bëhet e ditur për publikun kur të konfirmohet takimi.
Të premten është thënë se takimi i nivelit të lartë në Bruksel do të jetë përpjekje për të arritur një zgjidhje evropiane mes tensioneve të fundit.
Megjithëse, agjenda nuk dihet, takimi pritet të jetë me fokusin në qetësimin e tensioneve të shkaktuara pas çështjes së targave.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se çështja e targave është një problem që duhet zgjidhur para datës 21 nëntor, kur hynë në fuqi masa e gjobitjes prej 150 eurosh për serbët që nuk konvertojnë targat ilegale në RKS.
Por, përveç çështjes së targave, në takim parashihet të diskutohen edhe çështje të tjera. do të kërkohet zgjidhje evropiane dhe kjo përfshin zbatimin e obligimeve që kanë marrë palët nga Brukseli.
Kujtojmë se sipas vendimit të qeverisë nga 21 nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave, ndërsa përfaqësuesit e serbëve në veri kanë paralajmëruar rezistencë në rast të shqiptimit të gjobave.
Kjo ka ngritur shqetësimin e zyrtarëve perëndimorë të cilët thonë se situata është në prag të një krize tjetër dhe duhet gjetur një rrugëdalje përmes një qasjeje strukturore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten gjatë një vizite në Estoni se ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministren estoneze, Kaja Kallas, ai tha se Beogradi ka urdhëruar të gjithë serbët në veri të Kosovës të japin dorëheqje nga institucionet.
“Jemi duke bërë çmos për të ruajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë, dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive, dhe në ditët në vijim do të shohim sa do të jemi të suksesshëm në këto negociata të reja”, tha kryeministri Kurti.
Në Prishtinë drejtori i organizatës Aktiv me seli në veriun e Mitrovicës, Miodrag Miliçeviç, tha se kriza në veriun e Kosovës e ka zhvendosur vëmendjen nga bisedimet politike dhe duhet të gjendet një zgjidhje apo model që do të jetë i pranueshëm dhe i zbatueshëm për tejkalimin e situatës në veri. Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Momentumi i ri në raportet Kosovë – Serbi: Cila është rruga përpara?”
“Është e qartë se nuk ka dialog, është e qartë se dialogu aktual po zhvillohet në fakt për të eliminuar krizën aktuale dhe për të gjetur një zgjidhje të përkohshme të konfliktit në veri. Në fakt ky është problem edhe për institucionet në Prishtinë dhe kërcënon më tej destabilizimin e situatës edhe brenda Kosovës”, tha ai.
Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u bë i njohur si nisma franko-gjermane. Zyrtarët evropianë kanë thënë se të dyja palët nuk e kanë refuzuar propozimin.
Shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari Lila tha sot se propozimi evropian përmban dy procese për zgjidhjen e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Faza e parë është ajo e cila merret me të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura e natyrisht edhe me avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës por nuk e përmban njohjen reciproke. Faza e dytë është faza e cila tutje synon njohjen dhe normalizimin e plotë”, tha ajo.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se propozimi evropian është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. VOA