Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e konsideron si një idhje mes popujve takimin që do të zhvillohet nesër në Tiranë në kuadër të ‘Open Balkan’.
Vuçiç është shprehur se ky takim do të sjellë shumë përfitime dhe se është e domosdoshme që të bashkohen edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor me Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Në besojmë se me këtë takim do të lehtësojmë jo vetëm lëvizjet për qytetarët , por edhe për biznesmenët duke ndihmuar në lëvizjen e mallrave. Ne do të lidhim popujt tanë që të kenë një marrëdhënie shumë më të ngushtë nga ajo e kaluara,”- ka thënë Vuçiç.
Presidenti i Serbisë Vuçiç, kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të takohen nesër në Tiranë. Në të njëjtën ditë, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë kundër Vuçiç. Në orën 16:00, Berisha do të mbledhë mbështetësit e tij dhe do të zhvillojë një marshim nga selia e Partisë Demokratike drejt Kryeministrisë.
Kujtojmë se për vizitën e Vuçiç foli pak ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha. Madje nga Kuvendi i thirrur më 11 Dhjetor, lideri historik i demokratëve e paralajmëroi presidentin serb që të mos vijë në Tiranë. Berisha deklaroi se Vuçiç do t’i ketë rrugët dhe sheshet plot me qytetarë shqiptarë.