Mbrëmjen e sotme Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” historianin e shquar shqiptar dhe akademikun Marenglen Verli: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar në studimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare. Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet dhe meritat e veçanta shkencore dhe akademike në drejtimin e institucioneve studimore dhe albanologjike të vendit tonë.”
Në fjalën përshëndetëse drejtuar akademikëve, profesorëve dhe personaliteteve të pranishëm, Presidenti Meta tha se duhet të mbështetim më shumë Albanologjinë që ka një rol të madh për forcimin e identitetit kombëtar.
FJALA E PRESIDENTIT META
Kënaqësi të vlerësojmë një figurë të njohur të fushës së studimeve historike, akademikun e shquar, Marenglen Verli.
Vlerësimi i tij, nuk është rastësor, por bëhet në kuadër të dy momenteve të rëndësishme të këtyre ditëve: Nisjen e edicionit të dymbëdhjetë të ‘Ditëve të Albanologjisë’, organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, institucion ku zoti Verli ka qenë drejtues.
Ditët e Albanologjisë’ janë një finalizim dhe promovim i punës së përbashkët të instituteve të Akademisë së Studimeve Albanologjike, në fushat e arkeologjisë, gjuhësisë e letërsisë, historisë, antropologjisë dhe kulturës popullore.
Kontributi i tyre merr vlera të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, duke shërbyer si shtyllë referimi për studime të mëtejshme të albanologëve vendas dhe të huaj.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në çeljen e aktivitet ‘Ditët e Albanologjisë’, ju uroj të gjithë studiuesve, bashkëpunëtorëve shkencor dhe përfaqësuesve të qendrave albanologjike, në trojet shqiptare dhe më gjerë, punë të mbarë dhe suksese!