Ditën e sotme Partia Socialiste ka konfirmuar edhe njëherë qëndrimin për prangosjen e ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili akuzohet për abuzim me detyrën, korrupsion dhe pastrim parash. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, Taulant Balla ka diskutuar mes të tjerash edhe lëvizjet e fundit të Prokurorisë së Posaçme, duke shtuar se Partia Socialiste i ka bërë të qarta të gjitha qëndrimet me zyrtarët e saj, të cilët kanë probleme me drejtësinë.
“Ju tregova studentëve se pesë vite e ca muaj më parë miratonim në Kuvend ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi, e cila është duke dhënë rezultate të qarta, duke nisur ta transformojë drejtësinë nga themelet, nga hallkën më të kalbur të shoqërisë shqiptare, në një gur themeli të një shteti të mirëfilltë europian, ku ligji vjen përpara gjithçkaje e ku ligji i trajton të gjithë si të barabartë. E pra, sot ne socialistët jemi më shumë krenarë për votën e dhënë për Reformën në Drejtësi. Sot me rezultatet e dukshme dhe punën e SPAK-ut, të Gjykatës Kushtetuese etj., të gjithë mund të vërejnë qartë se sa e rëndësishme ishte Reforma në Drejtësi për të ardhmen e vendit tonë. Më vjen mirë që veprimet e SPAK-ut po duartrokiten. Ka qenë dhe mbetet qëndrimi i Partisë Socialiste: Kushdo qoftë i akuzuari nga SPAK-u, pa dallim partie duhet të perballet vetë me akuzën! Partia Socialiste nuk i ka askujt asnjë borxh dhe i sugjeroj çdo partie në Shqipëri ta ndjekë këtë qasje. Është reforma në drejtësi, ajo që ka vendosur Shqipërinë në rrugën e Europës! Ata që e shanë, u munduan ta pengojnë, apo që u zotuan ta çbëjnë, duhet të kërkojnë falje“, ka shkruar Balla.
Ish-ministri dhe ish-deputeti Koka, i cili dorëzoi mandatin e fituar në Durrës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ende pa u futur në Kuvend, akuzohet se ka përvetësuar më shumën e 3.6 mln euro. Ndërkohë që i janë sekuestruar edhe disa pasuri. Lidhur me arrestimin e Kokës reagoi edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili përsëriti të njëjtën gjë.