Ditën e sotme Bashkia e Shkodrës denoncoi vjedhjen e 192m kabëll elektrik në rrjetin e ndriçimit në rrugën e Shirokës. Në faqen zyrtare, bashkia e qytetit raporton se difekti është zgjidhur dhe pas vendosjes së kabllit elektrik është rikthyer energjia elektrike.
Bashkia Shkodër shton se ky nuk është rasti i parë i dëmtimit të rrjetit të furnizimit me energji elektrike në rrugën e Shirokës. Për ngjarjen e fundit është kërkuar dhe vënia në veprim e policisë për të gjetur personat përgjegjës për këtë ngjarje.
NJOFTIMI I BASHKISë SHKODëR
Persona të papërgjegjshëm kanë dëmtuar përmes vjedhjes rrjetin e ndriçimit në rrugën e Shirokës. Janë 192 metër kabëll që janë grabitur, duke bërë që të mungojë ndriçimi publik në një pjesë të aksit që frekuentohet më së shumti nga shkodranët.
Fatkeqësisht, ndriçimi publik është dëmtuar disa herë në këtë rrugë dhe është dashur ndërhyrja e Bashkisë Shkodër për zëvendësimin e kabllit elektrik. Përsërisim thirrjen tonë për Komisariatin e Policisë së Shkodrës që të gjejë dhe të vendosë para përgjegjësisë keqbërësit që dëmtojnë pronën tonë të përbashkët.