Ditën e sotme hiqet tarifa për vizitorët e Kalasë së Beratit, e po ashtu qeveria ofron 10 mijë dollarë mbështetje për restaurimin e fasadës së shtëpive, dritareve e dyerve, ndërsa për ata sipërmarrës që duan të kthejnë shtëpitë në biznese qeveria do t’i mbështesë më 50 mijë dollarë. Lajmi u bë me dije sot, teksa kryeministri Edi Rama ka mbajtur një dëgjesë publike me qytetarë e sipërmarrës për të diskutuar lidhur me “Bonusin e Rijetëzimit”, edhe edhe ka premtuar edhe mbështetjen nga shteti.
“Të gjithë familjarët që disponojnë shtëpi të tilla që tani më me bonusin e rijtëzimit ne jemi në krah, me dy instrumente mbështetjeje, një për restaurimin dhe konsolidimin e pjesës, e guackës së shtëpisë, mureve, dritareve, fasadës apo çatisë, ku do të japim deri në 10 mijë dollarë mbështetje, 1 mln lekë të reja dhe për instrumentin e dytë për të gjithë ata që do duan të futen në një plan transformimi dhe vënien ekonomike të shtëpisë deri në 50 mijë dollarë”, tha Rama.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë u shpreh se projekti që pritet të implementohet në zonën historike të Beratit është marrë nga modelet e vendeve të unionit, duke ftuar të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për mbarrjen e bonusit. Ndërkohë që shtoi se i njëjti fond do të jetë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, edhe në zona të tjera të vendit. Por prioritetin e kanë ato në Berat dhe Gjirokastër, duke u bazuar në faktin se këto dy qytete janë pjesë e UNESCO-s.
Në fund të fjalës së tij, numri një i maxhorancës, Rama kishte edhe një paralajmërim për të gjithë ata bashkëpronarë që kanë probleme me njëri-tjetrin për shkak të pronave në kalanë. Ai paralajmëroi se nuk do të lejohet që godina të rëndësisë së veçantë të vihen në rrezik, prandaj mund të merren edhe masa financiare ose administrative.