Pasditen e sotme ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Përmes një mesazhi, Berisha thekson se Basha shpifi para mediave mbi koston e organizimit të Kuvendit të 11 dhjetorit.
Sipas Berishës, kostot do të bëhen transparente në ditët në vijim. Madje ai hodhi poshtë se burri i deputetes Blerina Gjylameti ka sjellë skenën e ndërtuar në Air Albania.
REAGIMI I BERISHËS
Deputeti Basha ripërtypi sot publikisht shpifjet e mediave të Edi Rames për organizimin dhe kostot e Kuvendit te Partisë Demokratike.
Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim.
Po ashtu kukulla e Ramës shpifi publikisht se për këtë event është kontraktuar bashkëshorti i një deputeteje të Partisë Socialiste.
Hedhim poshtë me neveri këtë shpifje dhe sqarojmë opinionin se kjo është totalisht e pavërtetë!
E mirëkuptojmë zemërimin e z.Basha përse nuk e organizuam Kuvendin me kompaninë e të afërmve të tij por rrjepja që ata i kanë bërë financave të PD këto 8 vjet e ka bërë këtë kompani të papërballueshme për mundësitë tona!
Kujtojmë fjalën e kreut të PD për Berishën:
“Kjo është një situatë jashtëzakonisht e vështirë. Përballë njerëzve me precedentë kriminale që solli Sali Berisha, duke na kujtuar 97, me zellin e pangordhur të një ish-komunisti. Me gjithën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave dhe me shpresën e vdekur se mund të marrë peng PD. Apo t’i kthejë ata në një batalion non-grata të vetes dhe familjes ë tij non-grata nga SHBA. Ky ishte spektakël i shëmtuar i së kaluarës.Shkaku i kësaj sjellje dihet fare mirë. Dje është mbledhur Këshilli Kombëtar. Berisha s’ka lënë ish-kryetar pa rrahur, pa i thyer dhëmbët”, tha Basha.