Mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “FrontLine” ishte ish-kandidati për kryetar të PD, Fatbardh Kadilli.
Kadilli nënvizoi se dëshiron që PD të jetë e bashkuar dhe të vendoset rregulli që pas çdo humbjeje, të rivendoset një kryetar i ri në drejtimin e partisë.
Pjesë nga biseda:
Kadilli: PD ndodhet e përçarë, do të ketë dy kuvende. Unë do të jem në të dy Kuvendet, sepse nuk i ndaj dot demokratët, në të Berishës dhe të Bashës. Për shumëkënd mund të duket si i pakuptimtë. Nuk e di. Nuk jam organizatori i asnjërit. S’jam aty për të numëruar delegatët, e për të mbështetur liderët që i kanë thërritur. Unë do shkoj atje për demokratët. Kandidat për ta sjellë PD në krye, për ta bashkuar. Sot e shoh që po ndahet. Duhet t’i them hapur demokratëve që nuk duhet të na përçajnë liderët, por duhet të bashkohemi. Në gjykimin tim, si njëri si tjetri janë lidera që s’i japin gjë partisë. Basha humbi më 25 prill, duhet të kishte ikur.
Vendosi një precedent të keq duke mos u larguar pas një sërë humbjesh. Në momentin që zoti Basha humbi, isha unë ai që thash të nesërmen të ikte. Unë s’e kam me zotin Basha, si nuk e kam me zotin Berih. Unë dua një lidership të ri. Unë kam pranuar autoritetin e tyre, vendimet si kryetarë, por kjo s’më ka penguar ta shoh politikën ndryshe. Kemi një problem të madh, mos largimin e zotit Basha. I shtojmë këtu faktin që zoti Berisha nuk i doli kundër, por e mbështeti, duke i shkuar në zyrë. Ato që janë në foltore dihet se kush janë. Kanë qenë njerëzit e Berishës. Basha nuk iku, duhet të kishte ikur. Berisha nuk duhet të kthehet. Mua nuk më intereson se kush e drejton partinë. Ne na intereson që kjo PD, a do të bëjë dot opozitë?
Mes Bashës e Berishës çfarë do të mbështeteshni?
Kadilli: Asnjërin. Unë e kisha në propozimet e mia kur isha kandidat, që nëse humb zgjedhjet të largohen. Duhet të ketë një limit provash. Nuk është Basha njeriu që ka privilegjin që i ka gjithnjë provat. Kjo është luftë e hapur për pushtetin e opozitës. Kjo na bie në moralin politik. Basha akuzon Berishën dhe Berisha Bashën, ndërkohë ata kanë qenë bashkë.