Institucioni i Presidencës, përmes këshilltarit të saj ligjor, Bledar Dervishaj reagoi ditën e sotme zyrtarisht për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Dervishi akuzoi Gjykatën Kushtetuese se hoqi dorë nga funksioni i saj dhe se e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare:
Kjo gjykatë i zhgënjeu të gjithë. Kushtetuesja për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim, hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj dhe shpalli veten si jokompetente. Për fat të keq, Kushtetuesja me vendimmarrjen e saj e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare. Gjykata nuk mori guximin të shpjegonte apo t’i kthente përgjigje pyetjeve në objektin e shqyrtimit. Nëse Gjykata nuk do të kishte anashkaluar pyetjet, sot do të kishim një vendim themeli. Është e qartë se Gjykata nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje, por ja la juridiksionit politik. Gjykata Kushtetuese cënoi parimet e transparencës dhe procesit të rregullt gjyqësor. Në mënyrë të papritur ajo e pezulloi shqyrtimin e çështjes dhe iu drejtua Komisionit të Venecias”, u shpreh Dervishaj.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për të shpallur antikushtetuese zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke njohur si kushtetues zhvillimin e tyre.
Ai gjithashtu u shpreh se Presidenti e mbështeti kërkesën e Shoqatës së Bashkive:
Siç të gjithë jeni në dijeni Presidenti i Republikës ishte pjesë e këtij procesi, e mbështeti kërkesën e shoqatës së bashkive duke kërkuar pranimin e saj. Presidenti si palë e interesuar i kërkoi gjykatës, kontrollin e akteve apo vendimeve të marra nga pushteti vendor, për të përmbushur rolin, misionin që kushtetuta i ka dhënë. Vetëm përmes një vendimmarrje të themelit, Gjykata Kushtetuese do i rikthehet popullit shqiptar, votën e lirë, për të zgjedhur përfaqësuesit e tij.,- tha DervishAj.