Përhapja e variantit të ri të Covid-19, Omicron’ dhe afrimi i festave të fundvitit, ka bërë që në shumë vende të Evropës të merret masa shtrënguese, e në këtë kuadër vëmendja kryesore mbetet sigurisht në atë se çfarë do të ndodhë në vendin tonë në lidhje me këtë çështje.
Ditën e sotme për këtë ka folur edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sipas të cilës situata është serioze dhe se po ndiqet nga ana e autoriteteve shëndetësore shqiptare në mënyrë dinamike, ndërsa bëri me dije se, çdo vendim që do të merret në këtë drejtim do të bëhet sigurisht duke vlerësuar të gjithë indikatorët e situatës së pandemisë në vend. Manastirliu bëri gjithashtu një thirrje për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat që janë deri më tani në fuqi, ndërsa bëri thirrje për më shumë vaksinime, si një masë e domosdoshme për të përballuar situatën në të cilën ndodhemi.
“Dua të them që vendimet merren nga komiteti i ekspertëve. Situata po ndiqet në mënyrë dinamike. Duhet të jemi të kujdesshëm për masat duke rivlerësuar masat që kemi. Esenciale është vaksinimi si armë që kemi kundër virusit apo edhe varianteve që qarkullojnë siç është edhe Omircon. Priten informacione nga institucionet ndërkombëtare për të parë sa i rrezikshëm është ai. Vaksina është arma që ne kemi. Jemi sot këtu edhe për të vijuar fushatën e vaksinimit duke synuar që vaksinimi të shtrihet sa më shumë te të rinjtë. Shqipëria ka një mbulesë vaksinale që po rritet dita ditës. Është situatë e qëndrueshme e vaksinimit në Shqipëri. Ne nuk do të ndalemi derisa çdo qytetar të jetë i mbrojtur përmes vaksinimit. Fushata e vaksinimit ka disa nivele të operimit. Jemi në një nivel të ri. Prej disa muajsh jemi derë më derë për qytetarët që nuk kanë mundur të shkojnë për t’u vaksinuar. Shëndeti qëndron në majë. Qeveria shqiptare ka siguruar dozat e vaksinave për popullatën dhe ne po ecim me hapa të qëndrueshëm”, tha ndër të tjera në fjalën e saj ministrja Manastirliu.
Këto deklarata Manastirliu I bëri teksa inspektoi qendrën e vaksinimit në qytetin e Kukësit.