Shqipëria mbush sot 109 vite që nga shpallja e Pavarësisë, më 28-nëntor të vitit 1912. Në këtë ditë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi në Vlorë, duke e shpallur vendin tonë, të pavarur. Po më 28 nëntor 1443, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj.
Të dyja këto ngjarje kanë të bëjnë me ngritjen e flamurit të arbrit, ndaj edhe 28 Nëntori quhet ndryshe Festa e Flamurit.
28 Nëntori festohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, shumica absolute e popullsisë të së cilës është etnikisht shqiptare. Kjo ditë festohet edhe në trojet shqiptare në Maqedoni e në Malin e Zi.
Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali u deklarua në Kuvendin e Vlorës ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.
Njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Shqipërisë dhe përcaktimi i kufijve shtetërorë të saj u bë në përfundim të Luftës Ballkanike, në Konferencën e Londrës, gjatë së cilës, për fat të keq, u kënaqën shumë nga synimet copëtuese dhe aneksuese ndaj trevave shqiptare të fqinjëve sllavo-grekë.
Gjithsesi, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran nga ana e Fuqive të Mëdha dhe dora-dorës, edhe nga shtete të tjerë, ishte një akt me rëndësi jetike për popullin dhe kombin shqiptar. Kjo ngjarje shënoi menjëherë një linjë demarkacioni në historinë shqiptare. Ajo ishte fryt i emancipimit të shqiptarëve si komb dhe i përpjekjeve të pareshtura të tyre për të qëndruar të lidhur me familjen europiane të kombeve të emancipuar.