Ditën e sotme në fjalën e tij në kuvend deputeti nga Lushnja i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka dalë në mbështetje të fermerëve, të cilët protestuan ditën e sotme përpara parlamentit. Nga foltorja e Kuvendit, Korreshi u shpreh se qeveria i ka gënjyer deri më tani fermerët, duke shtuar se nuk është marrë parasysh asnjë prej kërkesave të tyre. Ai gjithashtu shtoi se në vitin e ardhshëm, do të konsumohen produkte nga ‘Ballkani i Hapur’ ose i shqyer, siç e përshkroi ai, pasi blegtoria e ka mendjen te akademia që do tw hapet.
“Sot u premtua që do hanin me lugë floriri. Opingat. I njoh të gjithë ata fermerë. Kam frikë se do na mbijë bari se fermerët po i lënë serat e tyre. Sot treguat mjeshtëri sportive. I morët u dhatë kafe dhe u thatë se do hanë me lugë floriri po dale sa të kalojë ky buxhet. Vitin tjetër do hani produkte të Ballkanit të Shqyer sepse blegtoria shqiptare e ka mendjen te akademia.
Sa t’i stërvitin pak se nuk dinë si milet lopa. Ne themi që ky buxhet është i jashtëzakonshëm por asnjë fermer nuk merr asnjë lloj rimbursimi. Tani ka ndonjë sy e veshë të merret me këtë punë? Fermerët nuk do hanë me lugë floriri por ngelen me lugë në brez. Çfarë ju pengoi juve që gjithë këtë periudhë t’i dëgjonit. Vetëm për të marrë rrogën?
Ju duhet t’i dëgjoni dhe t’i implementoi kërkesat e tyre në buxhet. 90% e tregut është informal. Ata kërkojnë të kontrollohen. Nëse mandarinat këtu janë 110 lekë ata në Lushnje i shesin me 30 lekë. Nën kosto në mënyrë informale. Të paktën të vejë haka te i zoti. Nuk po dalin as barazim. Po ikin jashtë shtetit të marrin lekë për të shlyer borxhet. Po deshët ndonjë zile për deshët dhe delet se tjetër gjë nuk po bëni”, tha Korreshi.