Ditën e sotme Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Publik zgjodhi drejtorin e ri të përgjithshëm të RTSH-së. Me votim të fshehtë të 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues me tre të pestat e votave u zgjodh Enkelejdi Joti.
Ai siguroi sipas ligjit shumicën e cilësuar të votave nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues që kryen këtë të hënë procedurën statutuore të zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit mediatik më të madh të vendit.
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Shqiptar, duke e konsideruar të paligjshëm votimin.
Në emër të PD-së, kryetarit të Komisionit të Medias, Agron Gjekmarkaj tha se Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të marrë vendime që përcaktojnë kush do të drejtojë median për sa kohë sipas tij aty nuk ka prezencë të opozitës.
Partia Demokratike e konsideron të paligjshëm votimin për drejtorin e ri të Radio Televizionit Shqiptar. Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të marrë vendime që përcaktojnë kush do të drejtojë median, për te cilën shqiptarët, me apo pa parti, paguajnë taksë. Përsa kohë opozita është e papërfaqësuar në këtë Këshill dhe disa anëtarë të saj janë zgjedhur në parlament pa pëlqimin e PD, ne i konsiderojmë nul të gjitha vendimet e tij. Ligji parashikon që Këshilli Drejtues të jetë i balancuar politikisht në mënyrë që të garantohet jo vetëm përfaqësimi, por edhe pavarësia, integriteti dhe autoriteti i këtij enti publik. Me emërimin e sotëm, Edi Rama e hodhi në erë këtë parim, duke u provuar edhe një herë si armik i ligjit dhe i pavarësisë së medias.