Përmes një postimi në Facebook kryeministri Rama ka bërë me dije se do të ketë dëmshpërblim deri në masën 150% për të gjithë ata punonjës të policisë që punojnë larg vendbanimeve të tyre.
Një hap i tillë u paralajmëruar nga kryeministri gjatë prezantimit të buxhetit të Ministrisë së Brendshme pak ditë më parë.
Rama 2 ditë më parë, në një prezantim të buxhetit para policisë hodhi kritika kundrejt tyre lidhur me ndotjen mjedisore dhe ndërtimet pa leje.
Rama: Nuk është më gjoba, por kur ti bën një akt të tillë, arrestohesh dhe shkon para drejtësisë. E njëjta gjë për ndërtimet pa leje. Çdo ndërtim që ka shkelje është i paligjshëm. Nuk mund të ketë 4 kate me leje dhe 2 pa leje. Jo! E gjithë godina është e paligjshme dhe për këtë paligjshmëri subjekti merret e çohet para drejtësisë, ndërkohë që e gjithë godina prishet. Kështu e ka ligji i ri.
Kujtojmë njoftimin e ministrit Çuçi
Buxheti I planifikuar për mbrojtjen është 21.7 miliardë lekë. Do të kemi një rritje prej 1% të buxhetit për paga dhe sigurime shoqërore. Gjithashtu edhe 12% rritje për shërbime të tjera dhe siç e thashë dhe më parë, kemi një rritje 81% me financim të brendshëm. Një risi e rëndësishme është edhe ajo që lidhet me rritjen e pagave për punonjësit e policisë së shtetit që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit.Viti që vjen në formën e shpërblimit do ta çojë pagën e kësaj kategorie të punonjësve të policisë deri në 150% të pagës që marrin sot. Nga kjo rritje sot përfitojnë 1179 efektivë të policisë pasi në këtë skemë do përfshihen të gjithë efektivët nga inspektori deri në një stad të caktuar, të cilët punojnë jashtë vendbanimit.Në një program që kemi bërë, me llogari sipas rritjes së buxhetit, I kemi ndarë shpërblimet në bazë të kilometrave. Nga 20 deri në 60 kilometra largësi, do të përfitojnë 20% më shumë mbi pagën, nga 61-120 km, do përfitojnë 30% më shumë mbi pagën dhe mbi 121 km do të përfitojnë 50% mbi pagën mujore.’– tha Çuçi.