Del njoftimi i policisë për dy zyrtarët e Urbanistikës në Vlorë të cilët janë arrestuar për shkak se kanë miratuar një leje ndërtimi për një 53-vjeçar në Vlorë, i cili e ka tejkaluar atë duke shtuar dhe një kat tjetër. Mësohet se në pranga ka rënë 33-vjeçari Rubin Hekurani i cili është shefi i Urbanistikës, 32-vjeçari Klaudio Mehmetaj, i cili është specialist i Urbanistikës dhe 53-vjeçari me iniciale N.K, i cili ka kryer ndërtimin.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Vihen në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 09.11.2021, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit: -R. H., 33 vjeç dhe K. M., 32 vjeç, të dy banues në Vlorë, me detyrë punonjës pranë zyrës së Urbanistikës, Bashkia Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim; -N. K., 53 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Dy punonjësit e urbanistikës dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke i miratuar një leje ndërtimi shtetasit N. K., i cili më pas e ka tejkaluar atë, duke ndërtuar një kat shtesë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.