Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë datën e shqyrtimit të kërkesës së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili kërkon pezullimin e dënimit me dy vite burg. GJKKO pasi dëgjoi shkaqet e ankimit, shtyu shpalljen e vendimit për në datë 10.11.2021, ora 10:00.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tashmë e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar Adriatik Llallën. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit me dy vite burg për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.
Llalla është zyrtari i vetëm i lartë në shumë dekada që përfundon i dënuar me vendim të formës së prerë me burg për fshehje pasurie.
Por vetë ish-kryeprokurori ka braktisur Shqipërinë dhe është larguar jashtë vendit prej më shumë se një jave ku mësohet se po merr ndihmë mjekësore. Zyrtarisht asnjë institucion nuk di të përgjigjet se ku gjendet ish prokurori i përgjithshëm, ndonëse zëra të pakonfirmuar tregojnë se po kurohet në Zvicër, por edhe në Hungari.