Kryeministri Edi Rama foli sot për lëshimin në orbitë të satelitit të parë, në muajin mars, muaj i konsideruar prej tij si piku i krizës energjitike, duke thënë se nuk përbën një kosto të pamundur.
“Nuk është një kosto e pamundur, është shumë më pak se sa cfarë harxhojmë ne në javë për të blerë energji dhe për të mbajtur çmimin nën kontroll. Është shumë më pak, kështu që nuk është cështje kosto, por benefitet e satelitëve do të jenë fantastike për njerëzit”- theksoi Rama.
Duke folur për krizën energjitike, Rama tha në emisionin ‘Kjo javë’, se situata është ndërkombëtarisht e vështirë.
Pjesë nga intervista:
Sa i takon krizës energjitike, në çfarë situate ndodhemi tani z.Rama?
Situata është ndërkombëtarisht e vështirë. Në samitin e klimës, kriza energjetike ishte konstantja në të gjitha bisedat që bëheshin. Shqetësimi më i madh se lidhet me shumë gjëra. Rritja e çmimeve ishte konstante. Problemi në shumë vende të zhvilluara, i furnizimit konstant, por ne kemi marrë një vendim shumë të fortë e të vështirë që të bëjmë cdo gjë për të mbrojtur konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla nga rritja e çmimit dhe që të jemi të kujdesshëm edhe për biznesin e madh. Kjo do të thotë, shumë sakrifica nga pikëpamja financiare, por unë besoj që është e pamundur t’iu themi familjarëve sot: S’kemi c’bëjmë do paguani çmimin e energjisë sipas tregut. Sepse çmimi i energjisë është i vetmi, që shteti mund ta kontrollojë, të tjerat janë të tregut. Aty ku futen faktorët e tregut qeveria nuk kontrollon dot çmime. Ndërkohë që te çmimi i energjisë sigurisht që shteti ka në dorë të luajë ndonjë rol nësë dëshiron dhe ne do ta luajmë deri në fund. Ka vende që e kanë lënë komplet të liberalizuar, dhe ato vende sot po vuajnë shumë. Psh, Spanja e ka liberalizuar komplet dhe janë në një problem si ta zbusin efektin e goditjes nga çmimi.
Keni premtuar satelitin e parë në mars, muaj që nga vetë ju është quajtur se mund të arrijë pikun e krizës. Sa kosto sjell kjo për buxhetin për vendin?
Nuk është një kosto e pamundur, është shumë më pak se sa cfarë harxhojmë ne në javë për të blerë energji dhe për të mbajtur çmimin nën kontroll. Është shumë më pak, kështuqë nuk është cështje kosto, por benefitet e satelitëve do të jenë fantastike për njerëzit. Kam parë komente nga më absurde, i falënderoj ata që i bëjnë se kemi nevojë edhe të qeshim, por s’kanë lidhje fare. Satelitët që ne do të lëshojmë do të na shërbejnë drejpërdrejtë për bujqësinë, për energjinë, për mjedisin, rendin, infrastrukturën dhe mbi të gjitha do të lehtësojnë shumë marrëdhënien e shtetit me njerëzit, duke dobësuar në mënyrë shumë të ndjeshme fuqinë e inspektoriateve, që janë një nga burimet e problemit që kanë njerëzit me shtetin për shkak të rryshfetit, arbitraritetit, arrogancës në sjellje, sepse do kemi një kryeinspektor që do jetë larg, dhe nuk do ketë as kushërinj në Shqipëri as miq, as shokë partie, klientë.. do jetë nga qielli dhe do na thotë që këtu ka problem potencialisht një zjarr këtu ka problem me prekjen e shtrati të lumit, ka problem me burimet e energjisë, një ndërtim pa leje. Do dimë në kohë reale sa metra tokë janë mbjellë në Shqipëri, me cfarë janë mbjellë, sa është prodhimi. Janë gjëra fantastike që normalisht këtu në tokë duhet t’i bëjë një ushtri e tërë me zyra, departamente, shefa, miq ndërhyrje partie etj, ndërkohë që sateliti do na japë në fund të cdo ditë të dhënat, dhe një precizion që shkon deri në 70 metra katrorë.