Derbi i kryeqytetit ‘vishet’ bardheblu! Pas 97 minutave lojë Tirana ka triumfuar ndaj Partizanit në “Air Albania”, për t’u ngjitur e vetme në krye të klasifikimit të Superligës.
Goli i vetëm për Tiranën u shënua nga Limaj me penallti, në fund të pjesës së parë, ndërsa u desh edhe ndërhyrja e VAR për të konfirmuar goditjen nga pika e 11-metërshit.
Ndeshja nisi me një atmosferë të zjarrtë dhe nuk mungoi hedhja e flakadanëve në fushë, gjë që çoi në ndërprerje të lojës për vetëm pak minuta. Megjithatë ndeshja rinisi me raste në të dyja kampet. Ndërkohë, bardheblutë e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Najdovski mori të verdhin e dytë në kohën shtesë. Në fundin e lojës Partizani u mundua të gjente rrugën e rrjetës, por Bekaj u tregua vendimtar për Tiranën.
Kështu, skuadra e Orges Shehit qëndron e vetme në krye të kampionatit me 14 pikë, duke lënë pas me nga 11 pikë Teutën e Kukësin. Vllaznia e Dinamo ndajnë nga 9 pikë për vendin e katërt e të pestë.
Partizani i Ilir Dajës nga ana tjetër, është zhytur në një krizë rezultatesh, pasi numëron vetëm katër pikë në gjashtë javë të luajtura dhe është në fund të tabelës së bashku me Kastriotin dhe Skënderbeun.