Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me ngjarjen e fundit në vend. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai ka komentuar vrasjen në Fier dhe grabitjen që ka ndodhur në Krujë. Salianji thotë se në këtë vend askush nuk ndihet i sigurt dhe se këto ngjarje sipas tij tregojnë qartë që shtetin askush nuk e ka frikë.
Ai thotë se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, teksa ka theksuar se krahas pasigurisë sociale-ekonomike, shqiptarët nuk kanë as siguri publike. Sipas tij reagime e qeverisë jo vetëm nuk i mbrojnë por janë të vobekta duke i kaluar ngjarjet si normalitete.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit
Për fat të keq gjendja e rendit publik degradon çdo ditë e më shumë!
Askush nuk ndihet i sigurt për familjen, biznesin, fëmijët. Vrasjet e tipit mafioz si ajo në mes të qytetit në Fier janë shtuar, tmerri i ngjarjes së Krujës vendos kujën për gjithçka i ka ndodhur familjes së një biznesmeni, tregon mungesën e çdo lloj frike nga shteti!
Qeveria i përdor këta llumra në zgjedhje dhe ata sot ndihen zotër të vendit që mund te prodhojnë gjithçka përtej imagjinatës!
Qeveria jo vetëm është e paaftë të mbrojë jetën, pronën dhe rendin por reagimet e saj janë të vobekta duke i kaluar ngjarjet si normalitet
Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi, krahas pasigurisë social-ekonomike, shqiptarët sot nuk kanë as siguri publike!