Ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha, po mban foltoren e radhës në qytetin e Elbasanit. Qytetarët e kanë pritur edhe këtë herë me brohoritma dhe thirrje ish-kryeministrin, ndërsa ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e deputetit të këtij qarku Luçiano Boçi.
Po ashtu edhe sekretari i Partisë Demokratike, Blendi Himci i cili ka shprehur qëndrimin e tij pro hapjes së PD-së.
“Arsyet janë të shumta përse jam këtu, së pari, nuk u bë analizë për humbjen. E dyta, vazhdojmë të mbetemi të mbyllur ndërsa Partia Demokratike duhet të ishte e hapur për arsye se nuk është respektuar statuti i PD. Unë nuk kam asgjë personale me kryetarin Basha me mënyrën si bëri fushatë, me mënyrën si përfunduan në opozitë, po këto janë qëndrimet e mia për të cilat unë kam rezerva. Nuk kam inate personale as mllefe por do t’i shikoja gjithmonë në fokus të një situate e cila kërkon në moment për ta rihapur Partinë Demokraike. Votat janë rritur por vazhdojmë të jemi në opozitë, kjo provon se nuk jemi aty ku duhet”, u shpreh Blendi Himci.
Ndërsa një mbështetës i PD-së është shprehur se Berisha nuk lufton me armë por me mend dhe se Berisha sipas tij është një ndër burrat e rrallë.
“Unë jam ushtar dhe di vetëm të luftoj dhe luftën që bën Berisha nuk e bën askush. Berisha nuk lufton me armë, ai lufton me mend. Berisha është një ndër burrat e rrallë që ka kombi, ne nuk dimë ta vlerësojmë atë. Paçin faqen e zeze ata që kanë shitur dhe që flasin fjalë të këqija për atë që bëri ndryshimin , për atë që solli demokracinë. Këta e mbollën dynjanë hashash, po shkatërrojnë rininë dhe po shkatërrojnë njerëzit që nuk po shikojnë një ditë të bardhë. Shqiptarët nuk qeshin por morën arratinë. Më bën çudi për qëndrimin që mbajnë europianët dhe amerikanët ajo koreanka të gjejë gjuhën dhe ti përshtatet mendimit shqiptar, ne nuk jemi koreanë as amerikanë s’jemi dhe të rrimë kështu siç jemi. Edi Rama e ka korruptuar Bashën, ai korrupton edhe engjëllin”, u shpreh një demokrat.