Shërbimet e Policisë Lezhë dhe forcat e posaçme “Shqiponja”, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në disa automjete në Shëngjin, Lezhë e Milot paraditen e sotme.
Nga kontrollet e kryera në prangat e policisë ka përfunduar një 37-vjeçar i cili qarkullonte me armë zjarri pistoletë në makinë. Sipas informacioneve zyrtare në prangat e policisë ka përfunduar shtetasi me inicialet E.L., banues në Shkodër.
Në pranga përfunduan edhe dy djem të rinj nga Lezha, të dy me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, vjedhjes dhe krimeve kundër personit. Gjatë kontrolleve nga policia në makinën e dy të rinjve u gjetën dhe sekuestruan një sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Njoftimi nga Policia Lezhë:
Policia e Lezhës, kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve është vënë në prangat një 37-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri pistoletë në automjet.
Po gjatë kontrolleve, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, vjedhjes dhe krimeve kundër personit, të cilët posedonin fara narkotike të dyshuara canabis sativa.
Sekuestrohen armë zjarri pistoletë, municion luftarak, fara canabis, 3 celularë dhe 2 automjete.
Në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për persona që qarkullojnë me armë zjarri në automjet, shërbimet e Policisë Lezhë dhe forca e posaçme “Shqiponja” ushtruan kontrolle në disa automjete në Shëngjin, Lezhë e Milot.
Si rezultat, gjatë kontrollit të ushtruar në një mjet me drejtues shtetasin E.L.,në çantën e tij, shërbimet e Policisë Lezhë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E.L., 37 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë,a për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga forca e posaçme “Shqiponja ” , në automjetin me drejtues shtetasin A.M. dhe pasagjer shtetasin A.G.,u gjetën dhe sekuestruan një sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin farat e kanabisit për t’i shitur, me qëllim kultivimin e tyre.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A.M.,27 vjeç dhe A.G.,25 vjeç, banues në Lezhë, të dy me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, vjedhjes dhe krimeve kundër personit.