Shqipëria ka humbur me rezultatin 3-1 miqësoren përballë Çekisë që u luajt në Pragë. Goli i vetëm për kuqezinjtë u shënua nga Sokol Cikalleshi, nga distanca, por kjo nuk mjaftoi për një rezultat pozitiv.
Për Çekinë autorët e golave ishin Shik, Masopus dhe Celutska.
Ndeshja nisi mirë për Shqipërinë me qarkullimin e topit dhe presione në sulm, por gjuajtjet në drejtim të portës munguan. Ishin vendasit ata që më tej rritën nivelin e lojës duke dalë përpara me tre sulmues, por në ndeshjen e dytë me kombëtaren, portieri gentian Selmani ishte sërish në lartësinë e duhur. Megjithëse gardiani kuqezi bëri një paraqitje të mirë, në minutën e 18 Shik arriti të gjente rrugën e portës duke shënuar golin e parë për të kaluar në avantazh Çekinë.
Ishte Sokol Cikalleshi që në minutën e 42-të gjuan një perlë nga distanca duke vendosur përkohësisht barazimin.
Pjesa e dytë nisi e ekuilibruar dhe me raste për të dyja ekipet, por ishte Çekia ajo që arriti sërish te goli me anë të futbollistit Masopus, duke kaluar kështu në avantazh për herë të dytë. Pavarësisht zëvendësimeve të trajnerit Edi Reja, Shqipëria nuk arrin të barazojë sërish rezultatin derisa Çekia shënon edhe golin e tretë me anë të Celutska duke vulosu fitoren. Tashmë ekipi i Silhavi është i fokusuar në Kampionatin Europian ku është në grup me Anglinë, Kroacinë dhe Skocinë.