Gazetari Artan Hoxha ka folur në lidhje me shpalljen “non-grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se ky i fundit është symbol i një grupi të fortë interesash politike, ekonomike e kriminale.
Në studion e Abc News, Hoxha komentoi edhe heshtjen e presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi rama, që nuk kanë reaguar Akoma për vendimin. Hoxha tha se kjo heshtje vjen për shkak se ata e dinë mirë se kur goditet Berisha, askush nuk ka më garanci e as pushtet. Ndërkoë, të gjithë po mendojnë si të fshehin gjurmët e gjërave që kanë bërë.
“Unë them që SHBA me autoritetin që kanë në planetin tonë, me fuqinë që kanë në mbrojtje të demokracisë dje i kanë dhënë një damkosje të fortë personazhit më të rëndësishëm në hapësirën shqiptare. Në momëentin e parë që pashë lajmin kam pasur një lloj euforie, sepse 24 vite i kam kaluar duke u marrë me këtë gjëra që zoti Blinken i ka përshkuar në një tekst të shkurtër. Jam përballur me Berishën kur ka qenë president dhe kryeministër. Unë e shoh Sali Berishën si simboli i një grupi të fortë interesash politike , ekonomike dhe kriminale.
Kryeministri ka 48 orë që hesht, presidenti hesht. Pse heshtin? Ata e dinë që kur goditet Sali Berisha askush nuk ka më garanci as pushtet. Të gjithë po mendojnë si të fshehin gjurmët e gjërave që kanë bërë”, tha Hoxha.
Ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij iu ndalua hyrja në SHBA pasi akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive. Lajmi u komunikua ditën e djeshme nga Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken. Sot në një konferencë për shtyp, Berisha tha se do e padisë Blinken për shpifje, ndërsa në lidhje me heshtjen e Metës ai tha se “kjo është diçka normale, pasi ai mund të prononcohet vetë”. Ndërkohë, pak më parë në emisionin “Opinion”, Berisha tha se Rama po hesht pasi është ai që e ka iniciuar këtë që ka ndodhur.